Ceremonia e 100-vjetorit të Tiranës, Veliaj: 2020 do të jetë viti i ringritjes


Ceremonia e 100-vjetorit të Tiranës, Veliaj: 2020 do të jetë viti i ringritjes

12:57 06/02/2020

Nga Kavaja, ku ishte ndalesa e radhës e turit për ceremoninë e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se “kemi shansin që 100 vitet e ardhshme të jenë më të mira se ato që lamë pas”.

Veliaj shtoi se edhe sot shoqërisë i lipset që të marrë vendime të rëndësishme për vendin.

“Nuk do të jenë 100 vite të lehta, por kemi shansin që të jenë 100 vite më të mira se ato që lamë pas. Ashtu si 100 vjet më parë, edhe sot, çdo ditë, kemi detyrë të marrim vendime. Një nga vendimet që morëm dje në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili mund të duket i thjeshtë, është ai për “Shportën e Bebes”; pra, secila bebe që lind në qytetin e Tiranës merr një shportë me nevojat bazë për muajt e parë të jetës, si dhe një libër për prindërit e rinj, që të mësojnë prindërimin. Me këtë dua të them se nëse shoqëria jonë rrit familje të forta, mund të kemi një shtet dhe një qytet të fortë”, tha Veliaj.

Vitin 2020, kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka konsideruar vitin e ringritjes.

“Do të duhet të marrim vendime të rëndësishme për tërmetin dhe rindërtimin. Ky është viti i ringritjes, me banesa, me lagje, me komunitete të reja. Ndaj, miqtë e mi, nëse para 100 vitesh gjyshërit tanë kishin zgjuarsinë, mençurinë dhe kurajën që të merrnin vendime të guximshme në Lushnjë, në Rrogozhinë, në Kavajë, në Shijak, në Tiranë, për 100 vitet e tjera do të duhet që të kemi jo vetëm kurajën, por duhet të përveshim mëngët që të punojmë më shumë, të duhemi më shumë, të bashkëpunojmë më shumë, e ta çojmë përpara Shqipërinë dhe atdheun tonë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku përmendi edhe një vendim të rëndësishëm, i cili u mor dje në Këshillin Bashkiak të Tiranës, atë për hapjen e thirrjes për kredi të butë, e cila u vjen në ndihmë familjeve të reja që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë sipas interesave të tregut.

“Kemi shumë çifte të reja nga Kavaja që jetojnë në Tiranë. Duam t’iu japim një ndihmesë në ditët e para, teksa krijojnë familjen e tyre të re, duke iu dhënë një kredi me interes të butë. Ne si bashki amortizojmë interesin, që ata të fillojnë jetën e tyre në Tiranë. Duam apo s’duam, Tirana rritet çdo vit dhe për këtë arsye na duhet çdo ditë të marrim vendime të rëndësishme”, tha ai.  /tvklan.al




Të ngjashme