15 mijë tifozë në “Olimpico” me test Covid-i

Pasi u shty vitin e kaluar si rezultat i pandemisë së koronavirusit, tifozët e futbollit në të gjithë botën janë gati për ceremoninë hapëse të Euro 2020. Sipari i turneut më të rëndësishëm do të mbahet të Premten e 11 Qershorit në stadiumin “Olimpico” në Romë. Ashtu si formati, pasi për herë të parë do zhvillohet në 11 qytete të ndryshme Europiane, edhe ceremonia hapëse do jetë tepër e veçantë.

Rreth 15 mijë tifozë do të jenë prezent në shkallët e stadiumit, kryesisht mbështetës të Kombëtares italiane për shkak se Turqia po kalon një valë tjetër të koronavirusit. Për të qenë prezent në stadium, UEFA ka kërkuar test të Covid-19 para çdo dueli të Euro 2020.

Ceremonia hapëse do nis në orën 20:00, 60 minuta përpara duelit Itali-Turqi. Ritmet e kolonës muzikore që do shoqërojë të gjithë turneun, kënga me titull “We Are The People” do perfomohet nga Martin Garrix dhe grupi U2. Performanca do bëhet online dhe përmes teknologjisë 3D do shfaqet në ekranet e stadiumit “Olimpico”.

Tapeti i fushës do shndërrohet në një fushë të pushtuar nga ngjyrat blu dhe të bardhë, e cila rrethohet nga miliona drita. Pjesë e koncertit do jenë edhe këngët më të famshme në botë, teksa trupa e kërcimtarëve do të mungojë.

Favoritet janë ato të zakonshmit. Portugalia vjen si kampione në fuqi në turneun numër 16 në histori, ndërsa pas nuk mbeten as Franca, Kampione e Botës, Spanja, Anglia dhe Gjermania.

Klan News