Në 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ministri i Mbrojtjes premton rritje të buxhetit për këtë dikaster si dhe reforma modernizuese.
Niko Peleshi u bë pjesë e festimeve që u zhvilluan në selinë e Aleancës në Bruksel për përvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë, që këtë vit përkon dhe me 75-vjetorin e themelimit të strukturës më të madhe politiko-ushtarake në botë.
“Sot, ne mbetemi të palëkundur si një aleat krenar, i besueshëm dhe i angazhuar ndaj agjendës politike, institucionale dhe ushtarake të NATO-s. Do të vazhdojmë të përmbushim që të tria detyrat thelbësore të NATO-s. Nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të vazhduar kontributin në Aleancë, teksa vendet përballen me një mjedis më të pasigurt dhe të rrezikshëm të sigurisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, tha ai.
Për ministrin shqiptar të Mbrojtjes asnjëherë më shumë se tani kur ka një konflikt në Ukrainë, vëmendja për rritjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë më e rëndësishme. Dhe nëse ka stabilitet aktualisht në rajonin tonë, Peleshi ia njeh meritën NATO-s qe ndaloi spastrimet etnike në Bosnje dhe Kosovë.
Tv Klan