Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, është shumë i vendosur në propozimin e tij për një certifikatë për të gjithë ata që vaksinohen dhe që janë brenda BE-së. Sipas kryeqeveritarit helen kjo do të lehtësojë udhëtimin mes vendeve të bllokut europian sidomos në nisje të sezonit turistik.

Mitsotakis thotë se thelbi i kësaj ideje është krijimi i një linje të shpejtë udhëtimi që do të minimizonte vonesat për qytetarët të cilëve u është injektuar vaksina. Ai ka mohuar pretendimet se kjo certifikatë mund të “ndajë europianët në dy kategori”.

Të enjten liderët europianë pritet të takohen virtualisht dhe kryeministri grek ka premtuar që do ta sjellë këtë çështje për diskutim.

“Përmes një modeli të një certifikate të standardizuar vaksinimi të dakordësuar në BE ne mund të hapemi më shpejt, të ringjallim turizmin dhe të lejojmë qytetarët që të lëvizin të lirë pa qenë nevoja e kufizimeve nga një vend në vend tjetër”, tha ai.

“Njerëzit me të drejtë mund të pyesin nëse kjo masë mund të kufizojë lirinë e udhëtimit? Ju nuk ka për ta kufizuar. Nuk mund ta ngatërrojmë një certifikatë vaksinimi me një pasaportë udhëtimi. Qëllimi ynë nuk është të ndajmë europianët në dy kategori”, shtoi më tej Mitsotakis.

Mitsotakis deklaroi se ata që duan të udhëtojnë por nuk kanë vaksinë do të mund ta bëjnë këtë nëpërmjet rregullave ekzistuese siç janë testi PCR, testet ekzistuese apo dhe karantina e detyrueshme./tvkan.al