5 ekspertë shqiptarë janë trajnuar nga amerikanët

Testi i poligrafit, apo siç njihet ndryshe testi i së vërtetës, është gati. Të parët që do t’i nënshtrohen atij janë kandidatët që garojnë për postin e  drejtorit  të  Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe pas tyre ata që garojnë për hetues të kësaj strukture.

Në ceremoninë e certifikimit të 5 ekspertëve shqiptarë të trajnuar nga amerikanët, ishte edhe ambasadorja Yuri Kim që shprehu angazhimin e qeverisë së saj për Reformën në Drejtësi.

 “Përparimi i Reformës në Drejtësi është një nga elementët e rëndësishëm për të ardhmen. Shqipëria ka ligjin e ri për SPAK-un që kërkon që anëtarët e BKH t’i nënshtrohen testit të poligrafit. Këto ekzaminues do të sigurojnë aftësi për të zbatuar në bazë të ligjit të ri të SPAK. SHBA do t’ju ndihmojë me këto detyra edhe në vitet e ardhshme. Sikurse me përparimin në Reformën në Drejtësi, SHBA qëndron me qeverinë e Shqipërinë nëse largoni korrupsionin. Jemi këtu dhe 5 persona nuk janë shumë në numër. Por i hedh sytë tek busti i Skënderbeut. E tregon legjenda. Pak mijëra veta kundër një bote të tërë”.

Ndërsa ministri e Brendshëm Sandër Lleshaj shprehu dëshirën që ta provojë ai i pari poligrafin, dhe më tej u ndal tek Operacioni Forca e Ligjit.

“Operacioni Forca e Ligjit synon një goditje vendimtare kundër krimit të organizuar kryesisht në një pikë, që historikisht është konsideruar si një lloj tabuje e paprekshme. Shterimi i financave kriminale, konfiskimi i pasurive dhe i aseteve kriminale dhe shkatërrimi i modelit të biznesit kriminal janë objektivat madhore të kësaj përpjekjeje. Në fund të fundit rezultatet do të jenë dhe kriteri i gjykimit publik mbi këtë operacion”.

Sipas Lleshajt, testi i poligrafit do të përdoret në të ardhmen edhe për afrimet në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.

Tv Klan