Policia Shqiptare do të angazhohet jo vetëm për mbarëvajtjen e sezonit turistik në gjithë vendin, por edhe për ruajtjen e sigurisë jashtë territorit të qendrave pritëse të emigrantëve që po ngrihen në Shëngjin dhe Gjadër.

Kështu ka deklaruar Ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë një takimi me autoritetet policore në Lezhë. 

“Jam shumë i sigurt që DVP Lezhë dhe Njësia e Posaçme, që krijohet pranë saj, për të trajtuar aspektet e sigurisë në perimetrin e sigurisë së këtij institucioni, do të garantohet me seriozitetin që i takon Policisë së Shtetit.”

Megjithëse pohon se rregulli dhe siguria në këtë sezon veror më shifra të larta turistësh është një operacion i vështirë, Balla shprehet i bindur se vendi ynë do të certifikohet si një destinacion i sigurt turistik.

“Unë jam shumë i sigurt që ne do të kemi një sezon turistik të qetë dhe që do ta certifikojë Shqipërinë si një destinacion turistik të sigurt”.

Ministri u ndal edhe tek një problematikë e vjetër e policeve siç është ajo e orëve shtesë të papaguara.

“Falë komunikimit të DPPSH e Ministrisë së Brendshme me autoritetet tjera shtetërore, edhe kësaj çështjeje i kemi dhënë zgjidhje.”

Për këtë vit priten rreth 14 milion turistë dhe 4.5 milion automjete në rrugët shqiptare.

Tv Klan