Bona Miekley nuk është këtë herë në programin “Rudina” në Tv Klan për të dhënë këshilla për një jetesë më të shëndetshme përmes shëndetit mendor, por për të rrëfyer marrëdhënien me binjaken e saj, Brunin.

Ato kanë jetuar prej vitesh në SHBA, por kanë ndjekur rrugëtime të ndryshme në jetë. Bruni i është përkushtuar violinës dhe palestrës,  ndërsa Bona është rikthyer në Shqipëri dhe ushtron profesionin e saj.

Gjithë familja e tyre jeton në SHBA, 4 fëmijët e Brunit gjithashtu kanë lindur atje ndërsa Bona e ndoqi binjaken dy vite më vonë. Kështu ajo u njoh edhe me bashkëshortin e saj, Joshua dhe historia e tyre e dashurisë ka rrjedhur me një shpejtësi të rrufeshme.

Bona Miekley: Unë me Joshua jemi njohur nëpërmjet Denit dhe Brunit, pra nëpërmjet tyre. Bruni në fakt më thotë “o Bona kam nevojë për ndihmën tënde sepse do të vijë një shoku i Denit dhe më  duhet pak ndihma jote” se në atë kohë ajo ishte shtatzënë dhe unë thjesht për ta ndihmuar për të bërë drekën. Atë ditë për herë të parë kam parë Joshua dhe në fakt Joshua është dy metra i gjatë.

Rudina Magjistari: Do të isha shumë kurioze t’ju shikoja të dyve bashkë kështu që takimi tjetër do të jetë me Joshua në këtë studio.

Bona Miekley: Kur jemi takuar ai kishte edhe një çantë shpine për mal që i shkonte sipër kokës. Unë thashë ç’është ky gjigant? Nuk kisha parë ndonjëherë një çun aq të gjatë më përpara në jetën time por patëm një klik momental. Ai erdhi, kishte ardhur për të ndihmuar një komunitet këtu në Shqipëri dhe erdhi thjesht për 2-3 muaj por nuk ndenji 2-3 muaj, ai filloi ta donte shumë Shqipërinë dhe mbi të gjitha ta donte shumë Bonën. Kështu që ne u njohëm në prill, u fejuam në tetor dhe u martuam në dhjetor./tvklan.al