Me argumentin se nuk është zbuluar asnjë element i veprës penale dhe asnjë autor i dyshuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pezulluar hetimet për trafik ndërkombëtar droge për dosjen e njohur me emrin “Babale”. Akuza e ka transferuar edhe një herë dosjen në polici, për të vazhduar kërkimet nëse ka persona të dyshuar për trafik kanabisi nga Vlora drejt Italisë, ashtu siç pretendonte Albert Veliu në audio-përgjimin e bërë publik një vit më parë nga Partia Demokratike.

Në audiopërgjim, Albert Veliu i njohur ndryshe dhe si Dëshmitari X, pretendoi se po bisedonte me Agron Xhafajn, vëllain e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të trafikuar një sasi kanabisi drejt Italisë.

Pas kësaj, Orokuroria nisi hetimet, por pa regjistruar asnjë emër të dyshuar. Pas disa muajsh hetimesh, sipas prokurorëve, rezultoi se Veliu ka sajuar historinë e trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë, ku ka përfshirë edhe vëllain e ish-Ministrit. Për këtë çështje, i vetmi person që ndodhet në qeli është Fredi Alizoti, i cili pranoi se kishte qenë ai, personi që kishte bërë rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjim.

Albert Veliu u largua nga Shqipëria duke kërkuar fillimisht azil politik në Kosovë, me argumentin se i rrezikohej jeta, por në Dhjetor të vitit të kaluar u arratis drejt Hungarisë dhe tashmë ndodhet në Belgjikë. Sipas avokatit të tij në Kosovë, Veliu është larguar për shkak se nuk përfitoi azil.

Tv Klan