Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka folur me gazetarët para seancës për çështjen “Babale”. Salianji, tha se do kallëzojë penalisht drejtuesit e Policisë së Shtetit për falsifikimin e dosjes.

“Sot është seanca e parë gjyqësore për çështjen Xhafaj, siç quhet sot “Babale”. Jam sot për respektin tuaj dhe të publikut sepse i kam respektuar shumë institucionet kur ka qenë situata për denoncimet e krimit dhe të përfshirjes së tij në nivelet më të larta të qeverisjes. Edi Rama dhe qeveria e tij ka disa njerëz që i paguan me taksat e qytetarëve, që janë prokurorë për fat të keq që duan ta zhvendosin vëmendjen dhe ta mbajnë tek opozita apo tek varrosja e çështjeve të rënda të korrupsionit dhe të lidhjes së qeverisë me krimin.

Unë do e ndjek çështjen nëpërmjet avokatëve dhe do vij kur të pranohet dëshmia e Ramës, Ballës, Xhafës dhe të gjithë personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje, dhe do bëj kallëzim penal për drejtuesit e Policisë së Shtetit që janë përfshirë në falsifikimin e kësaj dosje”.

Ish deputeti gjithashtu ftoi dhe qytetarët të bëhen pjesë e protestës së sotme e cila do të jetë në orën 18:30.

“Ftoj qytetarët të protestojnë, për të bërë të mundur të ndryshojnë pushtetin, jo vetëm atë të një qeverie nga njëra tek tjetra, por që pushteti të kalojë në duart e tyre. Secili sot do të protestojë për vete”./tvklan.al