Gjyqtarët e Lartë: Kërkesën për betim të tij e shqyrton GJKKO

Gjykata e Posaçme po dëgjon dëshmitë e qytetarëve të Himarës në procesin kundër kandidatit të zgjedhur të kësaj Bashkie, Alfred Belerit, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhjet lokale të 14 majit.

SPAK kërkoi që dëshmitari Arsen Rama, i cili bashkëpunoi me prokurorinë të dëgjohet në një proces me dyer të mbyllura pasi ka dyshime që mund t’i cënohet siguria dhe se më herët i kanë djegur makinën.

Kërkesa u kundërshtua nga avokatët të cilët kërkuan që ai të dëgjohej nga media dhe publiku në sallë. Megjithatë treshja gjykuese, vendosi të mbyll dyert dhe për më shumë se 3 orë vijon të dëgjoi dëshminë e tij.

Arsen Rama është personi i cili i tha hetuesve në Prokuroren e Vlorës së shtabi elektoral i Alfred Belerit po blinte vota në zgjedhjet lokale. Ai pranoi të kryente takime të monitoruara nga agjentët dhe përgjonte Belerin, për të cilin SPAK thotë se është provuar që ka ofruar nga 5 mijë lekë në 50 euro për një votë.

Gjykata dëgjoi edhe disa dëshmitarë të tjerë, mes të cilëve edhe shefin e Komisariatit Himarë, Ermal Ajdinin, i cili mori kontakt i pari me bashkëpunëtorin e drejtësisë.

Beleri vetë ka mohuar akuzat dhe kërkon të betohet në mënyrë që të marrë detyrën si kryebashkiak nga qelia.

Kërkesa e tij për t’u betuar kaloi një ping pong gjyqësor pasi Gjykata e Posaçme dhe ajo e Durrësit refuzuan të shprehen duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të vendosë cila do e shqyrtojë kërkesën.

Këtë të martë në dhomë këshillimi 3 gjyqtarë të lartë shpallën GJKKO-në si kompetente duke e urdhëruar të marrë një vendim për lejen e kërkuar nga Beleri.

Tv Klan