Që prej orës 12 është mbajtur seanca në ngarkim të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit, i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Beleri ishte i pranishëm dhe vetë ditën e sotme kur nisën të merreshin në pyetj dëshmitarët e prokurorisë.

Ndërkohë që në gjykatë u paraqitën vetëm 7 persona nga 8 dëshmitarë të thirrur, pasi njëri prej tyre rezultoi të ishte jashtë vendit.

SPAK kërkoi që dëshmitari Arsen Rama, i cili bashkëpunoi me prokurorinë të dëgjohet në një proces me dyer të mbyllura pasi ka dyshime që mund t’i cënohet siguria dhe se më herët u kanë djegur makinën. Arsen Rama ka qëndruar përballë gjykatës për rreth 1 orë, ku ka dhënë deklarimet e tij.

Arsen Rama është personi i cili i tha hetuesve në Prokurorinë e Vlorës së shtabi elektoral i Alfred Belerit po blinte vota në zgjedhjet lokale. Ai pranoi të kryente takime të monitoruara nga agjentët dhe përgjonte Belerin, për të cilin SPAK thotë se është provuar që ka ofruar nga 5 mijë Lekë në 50 Euro për një votë.

I pranishëm për të dhënë deklarimet e tij, ishte edhe shefi i Policisë Himarë, Ermal Ajdini, i cili ka dhënë detaje për mënyrën se si kryhej shit-blerja e votave në Himarë, por edhe në zonat përreth.

Beleri vetë ka mohuar akuzat dhe kërkon të betohet në mënyrë që të marrë detyrën si kryebashkiak nga qelia. Kërkesa e tij për t’u betuar kaloi një ping pong gjyqësor, teksa Gjykata e Posaçme dhe ajo e Durrësit refuzuan të shprehen duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të vendos cila do e shqyrtoj kërkesën.


Seancën e ka ndjekur nga afër gazetarja Glidona Daci, e cila jep detaje për zhvillimin e saj. Më poshtë deklarimet e dëshmitarëve:

Ermal Ajdini: Unë në Janar të 2023-shit jam emëruar shef komisarjati në Himarë. Arsen Ramën ma kanë prezatuar kolegë policë. Në fund të muajt Prill të 2023 më ka telefonuar dhe më ka thënë se po bliheshin vota për Alfred Belerin. Pas marrjes së këtij informacioni unë kam bërë për një javë verifikimet e mia dhe më ka rezultuar që informacioni ishte i vërtetë. Më pas kam vënë në dijeni eprorët e mi, të cilët më kanë thënë që të vë në dijeni prokurorin në lidhje më këtë çështje. Më pas, Arsen Rama ka vendosur që të bashkpunojë me prokurorin, për te bërë veprimet stimuluese. Në dijeninë time ka nënshkruar një marrveshje bashkpunimi. Më pas kam marrë urdhër nga prokuroria që të nisja me veprimet dhe kam kontaktuar Arsen Ramën për të kryer të gjitha veprimet stimuluese. Arsen Rama dhe familja e tij jetonin në Himarë, por më pas ata me kanë shprehur shqetësimin se janë kërcënuar dhe janë dërguar në Vlorë.

Fredi Beleri: A keni dijeni të ketë përgjime pa autorizim të prokurorit?

Ermal Ajdini: Në dijenin time jo, te gjitha përgjimet janë kryer me autorizim të organeve kopetente.

Fredi Beleri: Kishit urdhër për të përgjuar të gjithë zyrën time elektorale?

Ermal Ajdini: Kemi përgjuar subjektet që na ishin autorizuar nga prokurori.

Fredi Beleri: Sa lista ka dorëzuar Rama?

Ermal Ajdini: Ka dorëzuar atë listë që ju i keni thënë në telefon, një në zyrë njërën kopje e  ka dorëzuar tek ne. Nuk i mbaj mend emrat e listës.


Gligor Mërkuri: Nuk e di se si emri im doli tek lista. Na erdhi në shtepi një kushëri i nënës, na tha votoni Belerin dhe do ju jap 100 mijë Lekë, pra 3 vota. Ne nuk kemi pranuar Lekë dhe as nuk kemi shkuar për të votuar.


Matilda Mërkuri: Nuk kam dijeni që emri im ishte në një listë votuesish, Niko Panajoti më ka premtuar 200 mijë Leke për 3 vota. Me të kemi lidhje familjare. Lekët na i dha që të votojmë për Belerin. Nuk e njoh Arsen Ramën. Prokuroria kundërshton dëshminë sepse paraprakisht ka thënë Alfred Beleri.


/tvklan.al