Çekia është përgatitur të bllokojë dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Shkak për këtë janë bërë mosmarrvëshjet që Çekia dhe Shqipëria kanë patur për kompanine CEZ.
Lajmi bëhet i ditur nga agjensia çeke e lajmeve CKT, që citon burime të nivelit të lartë të Bashkimit Europian.
Agjensia çeke e lajmeve kujton që në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat por vendimi për të do të merret nga samiti i BE-së në fund të qershorit.
Për këtë vendim duhet të ketë një aporovim unanim nga 28 vendet e Bashkimit Europian. Në shkrimin e saj agjensia CKT iu referohet burimeve të saj në Pragë, që kritikojnë faktin që bisedimet me CEZ dhe qeverisë shqiptare vitin e kaluar në Vienë nuk dhanë rezultat.
Madje artikulli citon se Shqipërisë i është dërguar një sinjal pak kohë më parë, duke i dëshmuar se ky kundërshtim mund të ndikojë në marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në janar të vitit 2013, Shqipëria revokoi licencën e kompanisë CEZ Shpërndarje. Në krye u vu një administrator shqiptar, duke i hequr mundësinë çekëve të administronin sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
CEZ ndërmori një arbitrazh ndërkombëtar kundër Shqipërisë bazuar në një Traktat të Kartës së Energjisë, që e kishin ratifikuar të dy shtetet, si Shqipëria ashtu dhe republika e Cekisë. Në këtë Traktat përcaktohen rregullat e investimeve të mbrojtjes ndërkombëtare në industrinë e energjisë.
Kompania shtetërore çeke e energjisë kërkon dëmshpërblim për dështimin që sipas kësaj kompanie ka bërë Shqipëria në mbrojtjen e investimeve në CEZ Shpërndarje. Sipas CTK, në këtë drejtim qeveria çeke ka përparuar më shumë në hapat e hedhur krahasuar me qeverinë shqiptare.
TV KLAN