Gjatë qëndrimit në Holandë Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku u takua me Presidentin e kësaj gjykate, Piotr Hofmanski, si dhe kryeprokurorin e kësaj gjykate Karim Khan.

Ai u prit edhe nga zëvendës Presidenti Kirill Gevorgian me të cilin diskutoi edhe për çështjen e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar. Gjatë bisedës kreu i qeverisë bëri të ditur angazhimin e Shqipërisë për ta zgjidhur këtë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Shqipëria i qëndron idesë se paraqitja e çështjes së zonave detare me Greqinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për tu zgjidhur në bazë të parimeve ligjore, i shërben interesit të të dy palëve. Por, përpara se të hedhim këtë hap, duhet të arrijmë marrëveshjen e nevojshme për ta çuar këtë çështje në GJND dhe kjo marrëveshje ende nuk është arritur”.

Më tej Kryeministri Rama ka garantuar se palët në këtë proces, pra Shqipëria dhe Greqia, janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje në nivel teknik sesi kjo çështje do të paraqitet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Siç mund ta dini, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një procedurë dakordësie ndërmjet avokatëve dhe ekspertëve teknikë të secilës palë. Ekipet tona respektive pranë ministrive përkatëse janë duke punuar dhe ne mbetemi të angazhuar për të ecur në këtë drejtim”, është shprehur Rama gjatë këtij takimi.

Në fund të takimit, Kryeministri Rama vizitoi edhe ambientet e gjykatës dhe u njoh me një historik të shkurtër të institucionit.

Tv Klan