“Nuk do të pranoj të cenohen interesat kombëtare”

Rama nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe nuk është pajisur me asnjë autorizim nga Presidenti Ilir Meta për të diskutuar me Greqinë në lidhje me kufizimin e zonave detare.

Kreu i shtetit në një deklaratë për shtyp bën të ditur se ka pritur në një takim këtë të mërkurë me kërkesë të tyre aktivistë të shoqërisë civile dhe anëtarë të votës akademike të cilët sipas Metës i kanë shprehur shqetësimin e tyre për delimitimin e zonave detare me Greqinë.

Por Meta i ka siguruar se nuk i ka dhënë asnjë autorizim kryeministrit Rama për bisedime, e as për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje duhet të shkojë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare.

“Kryeministri në detyrë, Edi Rama, nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare.”

Meta shprehet se  i ka kërkuar informacion shterues dhe një analizë të plotë qeverisë sipas përgjegjësive. Ai shprehet se ka qenë bashkëpunues dhe transparent me qeverinë, Kuvendin dhe institucionet e tjera për këtë çështje. Ndër të tjera ai thotë se nuk do të pranojë që të cënohen interesat kombëtare nga asnjë individ.

“I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë, se do të vijoj të ushtroj detyrat e mia me përgjegjësinë maksimale shtetërore e kushtetuese dhe se nuk do të pranoj për asnjë çast të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar. U rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë, që kanë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare. Ata duhet të përmbushin në mënyrë rigoroze përgjegjësitë e tyre ligjore, në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë e kuadrit të brendshëm ligjor, në interes së ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial, juridiksionit kombëtar, garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”, u shpreh ndër të tjera gjatë këtij takimi, Presidenti Meta./tvklan.al