Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit Zoran Zaevit, se refuzimi i marrëveshjes me Greqinë kërcënon perspektivat e vendit për anëtarësimin në NATO dhe BE.

Sipas Ivanovit, kjo deklaratë e Zaevit paraqet tentativë të dëshpëruar për manipulim të qytetarëve të Maqedonisë në prag të referendumit që do të mbahet.

“Përcaktimet strategjike të Maqedonisë për hyrje në BE dhe NATO janë të definuara qartë dhe të pandryshueshme. Ruajtja e emrit kushtetues dhe gjetja e zgjidhjes e cila nuk do të shkaktojë ndryshime kushtetuese, në asnjë rast nuk është drejtuar kundër integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO. Nënshkrimi i marrëveshjes ndërkombëtare duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë, dhe jo të shkaktojë ndryshimin e saj”,

thuhet në njoftimin e publikuar nga Presidenca.

Në njoftim gjithashtu thuhet se zgjidhja e çështjes së emrit kërkon konsensus të gjerë nacional i cili nuk do të prekë dinjitetin e popullit maqedonas dhe të qytetarëve.

“Presidenti Ivanov edhe njëherë ka ritheksuar se është i nevojshëm konsensus i gjerë nacional për gjetjen e një zgjidhjeje që nuk do të cënojë dinjitetin e popullit maqedonas dhe qytetarëve. Është joserioze dhe e papërgjegjshme që çështja e emrit, e cila është shumë e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë, të zgjidhet përmes telefonit dhe me marrëveshje personale mes dy Kryeministrave

”, thuhet mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë.

/INA