Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras më në fund kanë realizuar telefonatën e shumëpritur lidhur me finalizimin e çështjes së emrit. Në komunikatën e Qeverisë theksohet se dy kryeministrat kanë komunikuar mes orës 14 dhe 15.

Kryeministrat kanë biseduar për çështjet e mbetura që janë të pazgjidhura si dhe janë shqyrtuar disa ide për zgjidhje”,

nënvizohet në komunikatën e Qeverisë.

Po ashtu më tej nënvizohet se nesër pritet të zhvillohet edhe një telefonatë tjetër për të diskutuar çështje të tjera të ngelura.

Zaevi optimist

Kryeministri Zoran Zaev, sot ka shprehur shpresë se shumë shpejtë do të arrihet zgjidhje për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe se ajo do të mundet të ndodhë përpara Samitit të BE-së të caktuar për më 28 dhe 29 Qershor.

Zaev, sot ka qenë për vizitë në Haraçinë për fillimin e ndërtimeve të objektit të ri të komunës dhe tha se zgjidhja e shpejtë e çështjes së emrit është e lidhur me dëshirën që të ketë zgjidhje përpara Samitit të BE-së dhe përpara Këshillit të BE-së të caktuar për më 28 dhe 29 Qershor, duke theksuar se ditët janë të numëruara.

Ai ka theksuar gjithashtu se është e rëndësishme që të arrihet zgjidhje kualitative me të cilën do të jetë e rregulluar në aspektin juridik, të dinjitetit dhe do ta mbrojë identitetin, pasi që zgjidhja duhet që të ketë edhe reflektim pozitiv te qytetarët e vendit të cilët në fund duhet që të deklarohen në referendum.

Zaev shtoi se Vazhdimisht është në komunikim me të gjitha nivelet e Qeverisë ë lidhje me çështjen e emrit dhe se po i shqyrtojnë strategjitë e ndryshme për mbarimin e këtij kontesti 25 vjeçar. Zaev tha se menjëherë pasi që të bisedojë me kryeministrin Aleksis Tsipras, do ta njoftojë opinionin.

“Bëhet fjalë për momente të fundit në përpjekje që të afrohemi rreth qëndrimeve dhe se kur të ndodh, bashkërisht do ta kumtojmë lajmin e gëzueshëm edhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë edhe për qytetarët e Republikës së Greqisë.

Kryeministri gjithashtu tha se marrëveshja do të ishte fillimisht mes dy krerëve të qeverive, ministrave të Punëve të Jashtme, ndërkaq menjëherë pas kësaj do ta informojmë edhe shefin e shtetit, shefin e opozitës, liderët e partive tjera politike dhe qytetarët.

Zaev nuk ka dashur të spekulojë nëse për emrin Republika e Maqedonisë Veriore si një ndër emrat më të përfolur është e mundur zgjidhja. /INA