Edhe prokuroria e Përgjithshme ka pranuar përmes një deklarate të saj se çështja Fazlliç ishte veçse një zhurmë medatiko-politiko e iniciuar nga një gazetë antiqeveritare e frymëzuar nga opozita socialiste dhe e mbështetur nga organi qendror i akuzës.

Kështu vetë Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar, se e ka mbyllur këtë çështje hetimore për mungesë të veprës penale dhe të provave të kësaj akuze.

Ky vendim i datës 8 maj i prokurorisë vërtetoi përfundimisht, se prokuroria e Përgjithshme në çështjen Fazlliç, por jo vetëm në këtë çështje është përdorur politikisht nga segmente të caktuara të politikës.

Mjafton të kujtojmë zellin e madh të prokurores së përgjithshme Ina Rama, kur urdhëroi me telefon arrestimin në aeroportin e Rinasit të biznesmenit Damir Fazlliç, ditën kur ai erdhi të jepte një intervistë në Tv Klan.

Ina Rama urdhëroi ndalimin e tij, urdhëroi ndalimin e tij jashtë Shqipërisë në një kohë kur ndaj biznesmenit Fazlliç nuk kishte filluar asnjë çështje penale, nuk ishte hapur asnjë dosje hetimore, nuk kishte asnjë akuzë dhe asnjë provë kundër tij, përveç një shkrimi në gazetën “Tema” dhe një konferencë shtypi e PS.

Duhet të rikujtojmë se Prokuroria e Përgjithshme jo vetëm kërkoi arrestimin e tij në Rinas, por pa patur asnjë provë kundër tij bllokoi të gjitha llogaritë e kompanive dhe jo vetëm të kompanive të Damir Fazlliç, por bllokoi llogaritë bankare dhe aktivitetin ekonomik edhe të 4 kompanive të tjera, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me Damir Fazlliç, një prej të cilave ishte kompania e kunatit të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha.

Ky veprim i prokurorisë u bë për të krijuar një pështjellim publik për të lidhur akuzën për pastrim parash ndaj Damir Fazlliç me kunatin e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, me ministrin e Jashtëm Lulzim Basha dhe me qeverinë e kryeministrit Berisha për t’u thënë qytetarëve dhe për t’u shërbyer përdoruesve së qeveria është e përzier në pastrim parash.

Por sot paturpësisht prokuroria pranon, se ndaj Damir Fazlliç nuk ka vepër penale nuk prova për ta akuzuar. Por a do t’i kërkojë ajo falje publike biznesmenit Damir Fazlliç të cilin kërkoi ta arrestojë pa asnjë dokument, a do t’u kërkojë falje kompanive të bllokuara, a do t’i kërkojë falje për dëmin moral dhe imazhin publik të dëmtuar? A do t’u kërkojë falje kompanive të tjera që u bllokoi llogaritë padrejtësisht? A do t’i kërkojë falje ministrit Basha dhe kryeministrit Berisha. që u përmendi miqësinë e Damir Fazlliç në disa raste?

Vendimi i sotëm ishte konfirmimi, jo për të parën herë i përdorimit të prokurorisë nga politika./tvklan.al