Ish-ministri, në gjykim për shpërthimin në Gërdec
Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe mori të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal dhe Ushtarak.
Gjithashtu gjykata pranoi dhe kërkesën e avokatëve të Mediut për ta gjykuar atë, me procedurë të shkurtuar, çka do të thotë se nëse shpallet fajtor, ai do të përfitojë ulje të dënimit.
Si palë në proces, me kërkesë të vetë Prokurorisë, nuk u pranuan familjarët e viktimave në shpërthimin në Gërdec, çka u konsiderua në shkelje të procedurës nga avokati i tyre, Dorian Matlija.
“Sipas prokurorëve, akuza në fjalë nuk paska lidhje me shpërthimin. Pra, sikur nuk ka ndodhur një shpërthim dhe sikur nuk ka pasur viktima. Nëse është ky fakti, ka të drejtë edhe prokurori, edhe gjykata. Përndryshe, ky gjyq bëhet me praninë e familjarëve.”
SPAK thotë se nga hetimet rezultoi që Fatmir Mediu në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të ministrisë dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kanë nxjerr aktet nënligjore në kundërshtim me ligjin, të cilat kanë favorizuar kompanitë që kryenin procesin e demontimit në fabrikën e Gërdecit.
Por ish-ministri pretendon pafajësi, duke argumentuar se me të njëjtat akte nënligjore demontimi ishte kryer dhe vijoi të kryhej edhe pas tragjedisë. Mediu është shprehur më herët se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht.
Tv Klan