Balla: Debat 12 orë, 5 minuta kohë për çdo deputet

Mazhoranca pranoi kërkesën e opozitës për zhvillimin e një mocioni me debat në seancë plenare lidhur me çështjen ‘McGonigal’. Pas konferencës së kryetarëve, e cila miratoi kërkesën e 19 deputetëve demokratë, kreu i grupit parlamentar të socialistëve tha se ka propozuar që debati të zgjasë rreth 12 orë.

“Mocioni me debat do të zhvillohet. Të jetë një debat prej 12 orësh, nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 10:00 të darkës. Nuk ka asnjë problem kryeministri, kryetari i PD-së, Edi Rama për të kthyer përgjigje për një çështje që nuk kanë asnjë lloj lidhje me Shqipërinë”, tha Balla.

Por pa një vendim mbetën dy kërkesat e tjera të opozitës, ajo për zhvillimin e një interpelance me kryeministrin dhe ngritja e një Komisioni Hetimor për atë që demokratët e cilësojnë afera “McGonigal”.

“Ky është asgjesim total i një prej instrumenteve më të rëndësishëm që opozita ka, komisionet hetimore”, tha Alibeaj.

Për këto dy kërkesa Balla solli edhe argumentin e mazhorancës.

“Kemi ngritur komision të posaçëm për ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore parlamentare të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë prizëm kërkesa nuk është marrë fare në shqyrtim. Ta bëjë në momentin që kemi bërë këto ndryshime, tërhiqen nga firmat e falsifikuara që kanë sjellë në kërkesë. Interpelanca quhet e ezauruar”, tha Balla.

Balla komentoi edhe protestën e thirrur nga Partia Demokratike në 11 Shkurt përpara kryeministrisë si dhe ato të paralajmëruara përpara Parlamentit nga opozita, duke i cilësuar axhenda personale të Sali Berishës.

Tv Klan