Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar për më shumë se dy orë me aleatët e opozitës këtë të enjte. Të pranishëm kanë qenë edhe dy negociatorët e saj në Këshillin Politik.

Gazetarja Jolldiz Mitro raportoi për Tv Klan se fokusi i diskutimeve ka qenë Reforma Zgjedhore. Sipas burimeve të gazetares ende nuk mund të flitet për një marrëveshje mes palëve, pasi nuk vazhdon të ketë një konsensus në lidhje me administratën zgjedhore.

Është në fakt administrata, çështja për të cilën Basha tha se akoma nuk është gjetur një dakordësi një natë më parë.

“Burime nga takimi bëjnë me dije se ende nuk mund të flasim për një marrëveshje nga ana e opozitës sa i përket reformës elektorale pasi vijon të mos ketë një konsensus sa i përket çështjes së administratës zgjedhore që është në fakt edhe çështja për të cilën Lulzim Basha tha se është e vetmja që nuk është gjetur dakordësi me përfaqësuesit e mazhorancës në negociatat e zgjatura gjatë këtyre dy ditëve të fundit me kryediplomaten amerikane”, tha Mitro.

Partia Socialiste ka pranuar kërkesën e opozitës për teknologjinë, çështjen e panegociueshme të opozitës. Megjithatë këta të fundit kërkojnë një garanci. Nëse dështon teknologjia, opozita kërkon rikthimin e formulës aktuale zgjedhore, me komisionerë politikë.

“Opozita kërkon një garanci nëse do të përdoret teknologjia në zgjedhje, çështje që ishte e panegociueshme nga negociatorët e saj në tryezën e Këshillit Politik, atëherë nëse mungon kjo garanci, pra do të dështojë teknologjia në zgjedhje, ajo do të kërkojë rikthimin e komisionerëve politikë, të mbahet formula aktuale. Ende nuk ka tym të bardh këtu nga selia blu”, tha Mitro.

Një natë më parë u zhvillua një takim që zgjati 9 orë mes përfaqësuesve të Këshillit Politik dhe ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Ambasadorja Yuri Kim në një prononcim për mediat tha se pati shumë përparim mes palëve dhe se u arrit një marrëveshje e mirë, të cilës Basha duhet t’i thoshte PO.

“Ka ardhur koha për opozitën dhe mikun tim Lulzim Basha që të baraspeshojë të gjithë faktorët dhe të thotë “PO” për popullin shqiptar dhe të thonë “PO” për Shqipërinë. Topi është në fushën e tij. E ardhmja e vendit është dorën e tij”, u shpreh ambasadorja.

Por nga ana tjetër, lideri demokrat tha se ende nuk është arritur konsensus në lidhje me një çështje. “Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme”, tha ai. /tvklan.al