Transferimi i bujshëm i Kristiano Ronaldos nga Reali i Madridit te Juventusi është më shumë se sa një thashethem merkatoje. Sinjali më i qartë për divorcin e yllit portugez nga 13 herë kampionët e Europës është takimi urgjent i presidentit madrilen Florentino Perez me agjentin e Ronaldos, Horge Mendez.

Sipas mediave spanjolle, Perez kërkon të mbyllë menjëherë telenovelën e krijuar dhe mund të barazojë ofertën që ka bërë Juventusi, 30 milionë euro në sezon, për 4 vjet. Por çarjet në raportet mes palëve, nuk është e thënë të mbushen vetëm nga paratë.

Kristiano Ronaldo i ka prishur marrëdhëniet me klubin që pas largimit të ish-trajnerit Zinedine Zidane. Zvarritja e rinovimit të kontratës dhe hija e Nejmar si zëvendësues i numrit 7, janë gjithashtu disa nga arsyet e prishjes së marrëdhënieve me Realin.

E përditshmja spanjolle Sport.es shkruan se Florentino Perez megjithatë nuk kërkon ta ndalojë Ronaldon. Nëse ai kërkon të largohet, le ta thotë publikisht dhe unë do ta pranoj, mësohet të këtë thënë presidentin madrilen.

Kalimi i Ronaldos në Torino do t’i jepte shpresë Juventusit për fitimin e Champions League-s së tretë në histori, një ëndërr për italianët e ndërprerë dy herë pikërisht nga ylli portugez dhe Reali i Madridit.

Tv Klan