Prokuroria e Krimeve të Rënda administron si provë, vendimin e Gjykatës së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi u depozitua më 29 Tetor nga vetë Tahiri dhe avokati i tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në atë vendim thuhet se Prokuroria e Katanias nuk gjeti prova që të mbështesnin pretendimet e anëtarëve të grupit Habilaj gjatë përgjimeve policore, për blerje dhuratash për Tahirin.

Ish-ministri e konsideroi atë vendim një provë vendimtare për hetimin e nisur ndaj tij në Shqipëri. Saimir Tahiri po hetohet në Shqipëri si garantues i grupit të Habilajve me akuzat pjesë e grupit të strukturuar të trafikut të drogës dhe për korrupsion.

Më 15 Tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda shtyu për herë të katërt, deri më 17 janar të vitit të ardhshëm afatin e hetimit ndaj ish ministrit të Brendshëm, me argumentin se mbeteshin në pritje të letër porosive të reja nga Mali i Zi dhe Italia./abcnews.al