Ish-ministri: Kjo nuk është drejtësi, më vjen turp

Gjykata Posaçme e Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit në ditën që pritej të jepej vendimi final për ish-ministrin Saimir Tahiri, vendosi të kthejë çështjen për rigjykim në Shkallë të Parë.

Në një seancë që zgjati më pak se 10 minuta, Gjykata e Posaçme arsyetoi që në Shkallën e Parë, e cila dënoi Tahirin vetëm për shpërdorim detyre, ishin bërë gabime procedurale, për këtë arsye çështja në ngarkim të tij do të rigjykohet nga një trupë tjetër.

Një nga këto problematika ishte rikualifikimi i veprës penale, duke dënuar Tahirin për shpërdorim detyre akuzë e cila nuk iu komunikua më herët, por u njoh ditën që u shpall vendimi.

Në nisje të procesit, ish-ministri i Brendshëm akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal, por në përfundim gjykata vendosi ta ndryshonte veprën në “shpërdorim detyre” dhe ta shpallte fajtor. Këtë vendim Tahiri e ka quajtur kthim në pikën zero, duke e quajtur padrejtësi.

“Nuk e prisja rikthimin në pikën zero, padrejtësi. Nëse ka dhe një njëri të dytë që zvarritet si unë më vjen ndot dhe turp për detyrat që kam patur, është totalisht e pakuptimtë që të vazhdojë kjo thuajse tre vjet. Më vjen turp për detyrat që kam mbajtur dhe kontributin që kam dhënë si deputet. Është totalisht e pakuptimtë që të vazhdojë kjo histori thuajse 3 vite. Dua të shkoj deri në fund me drejtësinë. Të gjitha janë të hapura, beteja fillon nga e para”.

Dy vite më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkonte dënimin me 12 vite burg ndaj ish-ministrit Tahiri për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Mirëpo në Shtator të vitit 2019, kur shpalli vendimin, gjykata e rikualifikoi akuzën dhe e dënoi atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre, dënim që u kthye në 3 vite e 4 muaj shërbim prove për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Që prej fundit të vitit 2017-të, Tahiri është akuzuar nga prokuroria se në bashkëpunim me ish-drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela, ka favorizuar në së paku 4 raste grupin e Moisi Habilajt për të trafikuar drogë drejt Italisë.

Tv Klan