Çështja Tahiri zhvendoset në Apel

Çështja Tahiri zhvendoset në Apel

15:53 20/09/2019

Prokuroria dhe ish-Ministri do të apelojnë vendimin

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të përplasen në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, pasi të dyja palët do të ankimojnë vendimin e Shkallës së Parë. Prokuroria më herët është përmendur nga opozita se nuk ka përfshirë në pretencë prova që implikojnë ish-Ministrin në trafikun e drogës me grupin e Habiljave”.

Edhe pse Gjykata rrëzoi tre akuzat e Prokurorisë për përfshirjen e ish-Ministrit të Brendshëm në trafik droge me Habilajt, organi i akuzës është i bindur se Saimir Tahiri ka qenë pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga kushërinjtë e tij.

Tre prokurorët e çështjes, Vladimir Mara, Dritan Premçi dhe Arenc Çela pritet që në ditët në vijim të apelojnë zyrtarisht dënimin me 5 vite, që konvertohet në 3 vite shërbim prove për ish-Ministrin e Brendshëm.

Ata do t’i qëndrojnë akuzave për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe veprime të kryera në kuadër të këtij grupi, të cilat u rrëzuan nga Krimet e Rënda.

Vazhdimin e betejës në Apel e konfirmoi një ditë më parë vetë Saimir Tahiri, i cili e quajti qesharak dënimin e tij me shpërdorim detyre, vetëm sepse emri i tij ishte përmendur nga disa kushërinj trafikantë.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës argumentohet se i pandehuri Saimir Tahiri, duke mbajtur kontakte të pashpjegueshme me Habilajt, si dhe mosmarrja e masave për kanabizimin dhe përfshirjen e policisë në këtë fenomen, ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Sipas gjykatësit vërtetohet se Moisi Habilaj ka përdorur emrin e ish-Ministrit për të krijuar idenë e fuqisë, por nuk vërtetohet marrëveshja e tij me të paktën një anëtar të grupit.

Vendimi i krimeve të Rënda detyron ish-Ministrin e Brendshëm të paraqitet pranë Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT