Takimi i Presidentit Ilir Meta me Alex Soros, zv/Presidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur” dhe djali i miliarderit amerikan George Soros, është komentuar së tepërmi këtë fundjavë.

Vetë kreu i shtetit sqaroi sot publikisht që takimi me Alex Soros është kërkuar nga përfaqësues të këtij fondacioni, pas deklaratave që Meta bëri në muajin Korrik ndaj George Soros, të cilin e akuzoi për ndikim në Reformën në Drejtësi.

Por çfarë ka deklaruar Presidenti Ilir Meta 5 muaj më parë?

“Kam dy fjalë edhe për miliarderin e nderuar George Soros. Unë do t’i them z.Soros, i uroj jetë të gjatë, i uroj suksese dhe të birit që vjen shpesh në Shqipëri dhe kur të dojë është i mirëpritur edhe këtu që t’ia them edhe nga afër, se shkon dhe në Kosovë, shkon dhe në Serbi, t’i gëzojë ato miliardat e veta. Shqipëria vërtetë është një vend i vogël për përmasat e tij. Të vazhdojë të punojë, të investojë në tregje të mëdha, sepse Ilir Meta nuk është i rracës së Gruevskit, dhe është Presidenti i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Është i rracës së politikanëve të tipit Avni Rustemi, edhe i ca shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, si Vojo Kushi etj”.

Kjo është deklarata që Presidentit Ilir Meta ka bërë ndaj George Soros, që sipas tij nxiti më pas reagimin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur” duke kërkuar takim me të.

Në reagimin publik, Meta bëri me dije se me Alex Soros bisedoi për Reformën në Drejtësi, përkeqësimin e lirisë së shtypit, rolin e shoqërisë civile dhe për menaxhimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit. /tvklan.al