Laboratori në Wuhan të Kinës është vendosur në qendër të sulmeve nga administrata e Presidentit amerikan Donald Trump, që pretendojnë se koronavirusi ka dalë nga ky laborator.

Ky është laboratori me shkallën me të lartë të certifikimit në Kinë dhe nivelin më të lartë të sigurisë. Në laboratorin e Wuhan studiohen patogjenet më të rrezikshme në botë, siç janë koronaviruset. Laboratori në Wuhan u krijua gjatë epidemisë së SARS në vitet 2002-2003, që përfshiu Kinën dhe vende të tjera të Azisë.

Qeveria kineze vendosi për krijimin e këtij laboratori në atë kohë në mënyrë që vendi të ishte më i përgatitur në rastet e shpërthimit të epidemive dhe sëmundjeve infektive në të ardhmen. Kjo strukturë u parashikua për të diagnostikuar, zbuluar dhe për të krijuar ilaçe dhe vaksina kundër patogjeneve.

Laboratori i Wuhanit u ndërtua edhe me ndihmën e Francës. Ngritja e këtij laboratori të specializuar përfundoi në fund të vitit 2014. Ndërsa në Janar 2018 nisi funksionimin.

“Ky laborator do të ofrojë për kombin tonë një sistem të përparuar të biosigurisë, dhe shkencëtarët kinezë mund të studiojnë në laboratorin e tyre patogjenet më të rrezikshme në botë”, deklaroi qeveria kineze në fillim të vitit 2018, duke festuar në media ngritjen e këtij laboratori si një krenari kombëtare.

Virologia kryesore e laboratorit të Wuhan është Shi Zhengli. Ekipi i saj ka studiuar koronaviruse të ndryshme, disa prej të cilave i ka publikuar në revistën shkencore ‘Nature’. /tvklan.al