Ministri për Rindërtimin dhe koordinatori për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, Arben Ahmetaj, deklaroi këtë të enjte se qeveria  po punon për një plan për rimëkëmbjen ekonomike.

Ministri nuk bëri të ditura shumë detaje, por gjatë emisionit “Opinion” i ktheu përgjigje një qytetari, i cili pyeste se çfarë do të bëhet me kontributet e Bashkimit Europian për Ballkanin, më konkretisht për Shqipërinë.

Ahmetaj tha se deri më tani bëhet fjalë për premtime nga ana e Bashkimit Europian. Ai u shpreh se në arkën e shtetit nuk ka ardhur ende asnjë para nga Europa.

Megjithatë, ai u shpreh se pritet që BE të sjellë në Shqipëri fillimisht një fond prej 80 milionë Eurosh dhe më pas në vjeshtë 100 milionë euro.

“Ka një plan ekonomik që po e ribën qeveria. Dua të jem shumë i sinqertë, akoma në buxhet të shtetit nuk ka ardhur asnjë lek. Akoma nuk ka ardhur asnjë lek. Edhe 180 milionëshi që do të vijë nga BE nuk ka ardhur akoma. Mendohet që do të vijë 80 milionë në Korrik dhe 100 milionë në vjeshtë. Deri tani jemi në kuadrin e premtimeve sa i përket Covid-it”, tha Ahmetaj.

Por ndryshe vijon situata me fondet e tërmetit, që sipas Ahmetajt me paratë e KE-së ka nisur ndërtimi i disa shkollave.

“Sa i përket mbështetjes për tërmetin janë 15 milionë Euro të Komisionit Europian që kanë filluar ndërtimin e 22 shkollave dhe KFV 11 milionë Euro dhe një sërë donatorësh të tjerë”, tha Ahmetaj./tvklan.al