Presidenti Ilir Meta ka mandat deri më 24 Korrik të vitit 2022 dhe nuk ka ndërmend që të largohet nga ky post përpara kësaj date. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit deklaroi se nuk ka pasur kurrë në plan që të dorëzonte mandatin për t’u vënë në krye të opozitës.

Meta është një ndër politikanët me më shumë përvojë. Ai ka qenë kryeministër, kryetar Kuvendi dhe President. Të gjitha këto i ka realizuar në një moshë relativisht të re.

Presidenti iu përgjigj pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se çfarë do të bëjë pasi të mbarojë mandatin e Presidentit dhe nuk zgjidhet më në krye të shtetit. Meta bëri një krahasim të vetes me Isa Boletinin dhe theksoi se ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri në të mirë dhe në të keq.

Blendi Fevziu: Ka pasur komente se ju mund të dorëzoni mandatin e presidentit për t’u vënë në krye të opozitës…

Ilir Meta: Kurrë!

Blendi Fevziu: Në asnjë rast?

Ilir Meta: Deri më 24 Korrik 2022 nuk ka detyrë më të rëndësishme, më të shenjtë më të nderuar për mua se sa President i Republikës së Shqipërisë. Pikë dhe nuk lëviz kjo gjë.

Blendi Fevziu: Në 24 Korrik 2022 që ju mbaroni mandatin tuaj dhe nëse nuk rizgjidheni çfarë do bëni, do dilni në pension në moshën 53-vjeçare? Shumë detyra i keni marrë në moshë të re. Kryeministër 30-vjeç, kryetar Kuvendi tek të 40-tat…

Ilir Meta: Unë kohë për të menduar për këtë gjë nuk kam patur sepse edhe punët dhe angazhime kam pasur shumë. Për mua nuk ka asnjë rëndësi se ku do të jetë Ilir Meta më 25 Korrik në mëngjes. Për mua ka rëndësi se ku do të jetë Shqipëri më 25 Korrik. Unë kam atë filozofi, atë përgjegjshmëri që kishte Isa Boletini. Kur është Shqipëria mirë, thoshte unë jam mirë, kur është Shqipëria keq edhe unë keq. Për mua ka rëndësi të jetë Shqipëria mirë. Kudo që të jetë Ilir Meta është shumë mirë, se Ilir Meta ka vendosur që në të mirë dhe në të keq të jetë në Shqipëri dhe me shqiptarët këtu.

Blendi Fevziu: Gjithsesi në këtë 30-vjeçar keni ju përgjegjësi se ku është Shqipëria zoti Meta? Ju personalisht.

Ilir Meta: Padyshim që kam përgjegjësitë e mi, por për një gjë jam i sigurt dhe i ndershëm para të gjithëve. Nuk njoh një politikan tjetër, më falni për mungesën e modestisë në këtë aspekt, që të ketë pasur angazhim, përkushtim dhe të ketë bërë sakrifica apo zgjidhje politike për integrimin e vendit europian të Shqipërisë se sa Ilir Meta. Edhe dorëheqjet i kam bërë për shkak të krizave që krijonin këto të tjerët. Pastaj gabimet janë normale, por unë u jam nënshtruar gjykimit të njerëzve. /tvklan.al