Yulia Navalny, gruaja e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexey, ka kërkuar që autoritetet t’i dorëzojnë  trupin e tij, për t’i bërë nderimet e fundit në kishën ortodokse. Sipas saj, Presidenti Vladimir Putin po “torturon” edhe kufomën e Alexei. “Na jepni trupin e burrit tim”, shprehet ajo në një video të bërë publike sot.

E keni torturuar kur ishte gjallë, doni të vijoni me këtë gjë edhe tani që s’jeton më. Ti tallesh me eshtrat e të vdekurve. Asnjë i krishterë i vërtetë nuk mund të bëjë kurrë atë këtë gjë. Çfarë do të bësh me kufomën e tij? Sa poshtë do të zhyteni për të tallur njeriun që vratë?!”, theksoi ajo në mesazhin e saj për Putin.

Navalny, një kundërshtar i shquar i Putinit, vdiq javën e kaluar në një burg të sigurisë së lartë në Arktik, atje po ku po vuantë dënimin me 19 vite heqje lirie, i akuzuar për ekstremizëm.

Autoritetet thonë se ai ka vdekur për shkaqe natyrale, ndërsa kanë refuzuar të dorëzojnë eshtrat e tij te familja.

Nëna e Navalny, Lyudmila Navalnaya, ka thënë se hetuesit po i bënin presion që të varroste djalin e saj në “fshehtësi” në një ceremoni private. “Trupi i tij po dekompozohet. Ata duan ta varrosin djalin tim në një vend shumë të largët”, tha ajo.

Me deklaratat e fundit të familjarëve të Navalny-t, po vihet dyshimi mbi besimin fetar të Putinit.

Megjithatë, udhëheqësi rus është fotografuar shpesh në kishë duke u lutur, apo duke shkuar në vende të tjera të shenjta. Ai e ka shprehur hapur afërsinë e tij me Kishën Ortodokse të Rusisë pasi sipas Putin “shoqëria pa këto vlera fetare, shkon drejt degradimit.”

Reagime ka pasur nga zëdhënësi i Kremlinin Dmitry Peskov dhe muzikantja Nadya Tolokonnikova.

Peskov thotë se Putini nuk është i përfshirë në vdekjen e Navalny-t dhe se këto akuza janë të pabaza. Ndërsa muzikantja e cila kaloi dy vite në burg vetëm për pjesëmarrjen në një protestë, hedh akuza ndaj Putinit duke e cilësuar hipokrit.

“Askush nuk shkel mbi vlerat tradicionale ruse më shumë se ju, Putin, zyrtarët tuaj dhe priftërinjtë tuaj që luten për të gjitha vrasjet që bëni ju, vit pas viti, ditë pas dite. Ki ndërgjegje, jepi nënës së tij trupin e djalit “, ka thënë Tolokonnikova.

Po pse nuk dorëzohet trupi i Navalny-t?

Kritikët thonë se autoritetet kanë frikë se një funeral mund të kthehet në një shfaqje publike në shkallë të gjerë mbështetjeje për liderin e opozitës. Të njëjtën gjë bënë edhe me trupin e Yevgeny Prigozhin. Atë e varrosën në periferi të Shën Petersburgut në fshehtësi. Ndërsa mediat ruse i kanë dhënë pak hapësirë ​​lajmit për vdekjen e Navalny, njerëzit u dyndën në rrugët e qyteteve anembanë vendit për të nderuar liderin e opozitës. Policia arrestoi të paktën 400 persona në 24 orët e para që nga lajmi për vdekjen e tij./tvklan.al