Emisioni “Rudina”, në Tv Klan e vendosi fokusin e saj tek një temë me një interes mjaft të madh për gratë e moshës 45-55 vjeç. Bëhet fjalë pikërisht për menopauzën, një proces biologjik natyral, që shpeshherë shoqërohet me shqetësime të ndryshme dhe jo çdo grua e përjeton njësoj. Për të folur për këtë temë e ftuar në studio ishte gjinekologia Mimoza Keta, aktivistja Nora Malaj dhe mjekja psikiater Ariana Rreli.

Menopauza është fundi i periudhës së menstruacioneve dhe fertilitetit, një fazë natyrale në jetën e gruas. Zakonisht kjo ndodh ndërmjet moshës 45 dhe 55-vjecare, por në raste të rralla mund të ndodhë edhe më herët ose më vonë. Në këtë fazë, pasi gruaja arrin menopauzën, trupi i saj pëson disa ndryshime.

Mimoza Keta: E gjithë periudha quhet klimaks. Domethënë derisa fillon largimi i menstuacionit, pra deri në menstruacioni i lamtumirës është periudha e perimenopauzës. Zakonisht gruaja drejtohet tek mjeku me ankesën e një çrregullimi të menstruacioneve, gjithashtu ndryshimi i sasisë së gjakderdhjes. Çrregullimi i ciklit menstrual ka si shkak uljen e një hormoni që quhet estrogjen. Perimenopauza ka një fazë që fillon 45 deri në 50 vjeç. Pastaj 51 deri 55 vjeç është periudha e menopauzës, ku këto shenja fillojnë dalëngadalë të zvogëlohen, por që ekzistojnë përsëri për një periudhë 4-5 vjeçare. Ndërsa postmenopauza filllon pas moshës 55-vjeçare. Trupi fillon të ambientohet me një gjendje të re.

Gjinekologia shprehet më tej se kjo është një fazë fiziologjike normale në jetën e çdo femre dhe duhet të kalojë qetësisht.

Mimoza Keta: Kjo është një fazë fiziologjike, normale e jetës së gruas dhe si e tillë duhet të suportohet. Pra nuk është e nevojshme vetëm marrja e terapive hormonale zvendësuese, ndodh që shumë gra mund të marrin terapi, por pjesa tjetër duhet ta kalojnë në mënyrë fiziologjike qetësisht, sigurisht duke bërë ekzaminimet e nevojshme, për të vlerësuar gjendjen e tyre ashtu siç janë./tvklan.al