Në një njoftim për mediat, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dha këtë të diel informacion për gjendjen e akseve kryesore të vendit, si pasojë e motit.

Kështu, sipas ARRSH, në Rajonin Jugor Gjirokastër: Gjatë gjithë natës kontraktorët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Në të gjitha akset kombëtare të këtij rajoni, ku përfshihen rrugët e qarkut të Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës, qarkullimi kryhet pa zinxhir.

Në Rajonin Verior Shkodër: Kontraktorët kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Në të gjitha akset e këtij rajoni ka përmirësim të dukshëm të gjendjes së akseve.

ARRSH rekomandon përdorimin e zinxhirëve në segmentet rrugore, Qafë Mali-Fierzë, Ura e Cerenecit-Steblevë, Qafë Bualli-Krastë, Trebisht-Doganë.

Ndërsa në segmentet rrugore Kuben-Vasije, Peshkopi-Qafë Draje, Peshkopi-Ushtelencë, Domaj-Draj Rec, Bulqizë-Fushë Bulqizë, zinxhirët rekomandohen pjesërisht.

Në Rajonin Qendror Tiranë: Puna nga ana e kontraktorëve vazhdon për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës.

Në akset Rrugët e Dajtit (Qafë Priskë – Qafë Mollë, Qafë Priskë – Shëngjergj), Rruga Lunik –Steblevë, Krujë-Sarisalltik, qarkullohet pjesërisht me zinxhir. Në akset e tjera të këtij rajoni qarkullimi kryhet normalisht pa zinxhirë.

“Për shkak të temperaturave të ulëta, rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.  Gjithashtu gjatë lëvizjes duhet të respektojnë sinjalistikën rrugore”,

e mbyll njoftimin Autoriteti Rrugor Shqiptar.

/tvklan.al