Pesë mijë euro. Kaq është shifra që ka vendosur qeveria për të gjobitur personat që nuk zbatojnë vetëkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës me koronavirus.

Të njëjtën gjobë do të marrin edhe ata persona që kanë udhëtuar në vendet e prekura, e kur vijnë në Shqipëri nuk zbatojnë urdhrin për vetëkarantinim. Koronavirusi ka shqetësuar shumë njerëz anembanë botës, disa prej të cilëve kanë filluar të marrin masa nëse do t’u kërkohet të karantinohen.

Por lind pyetja: Çfarë është karantina?

Kur dikush karantinohet nuk është e thënë që të jetë infektuar me koronavirus. Karantinat përdoren për të ndaluar lëvizjen e njerëzve, të cilët mund të jenë të ekspozuar ndaj sëmundjes. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA ka rekomanduar një periudhë prej 14 ditësh për karantinë, kjo bazuar edhe në kohën e inkubacionit të virusit.

CDC rekomandon që në karantinë të qëndroni në dhomën tuaj, të mbani një maskë nëse rrethoheni nga njerëz, të mos përdorni të njëjtat enë, peshqirë dhe çarçafë me të tjerët dhe të mos dilni jashtë.

Për të ndaluar shpërndarjen e virusit, duhet të mbani një distancë nga njerëzit, të ndaloni së takuari ata kur nuk është e nevojshme dhe të lani duart shpesh. Madje CDC rekomandon që të ndalohet kontakti me kafshët derisa të kuptohet se si ndikon një virus i caktuar në lidhje me të.

Sfida më e madhe në karantinë, padyshim është mungesa e lëvizjes. CDC përcakton rregulla të forta që kërkon moslargimin nga shtëpia, përveç rastit kur duhet të shkoni tek mjeku. Koncepti i karantinës nuk është i ri, pasi është përdorur që në shekullin e 17.

Ku qëndron ndryshimi mes karantinës, izolimit dhe distancës shoqërore?

Izolimi përdoret për të ndarë një rast të konfirmuar me virus nga popullsia, në mënyrë që ta kalojnë pa e përçuar virusin.

Ndërkohë distanca shoqërore është një taktikë që i ndan njerëzit dhe ul rrezikun për infeksion. Bëhet fjalë për ndalimin e grumbujve të njerëzve deri tek ndalimi për të përqafuar miqtë.

Kur duhet të vetëkarantinoheni?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që qytetarët që kthehen nga provinca kineze e Hubeit, epiqendra e koronavirusit, të vetëkarantinohen për 14 ditë.

Ekspertët rekomandojnë që të qëndroni në shtëpi nëse keni qenë në një vend që ka pasur raste me koronavirus. Në të kundërt duhet të pyesni mjekun. Për këtë arsye qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion numrin 127 për çdo rast të tillë.

Si të përgatiteni?

Nëse jeni në shtëpi, mediat amerikane shkruajnë që duhet të keni ushqim. Ekspertët tregojnë që duhen marrë disa nga gjërat e rëndësishme, por bëjnë thirrje që të mos ketë furnizime të jashtëzakonshme pasi karantina nuk zgjat gjithë jetën.

“Karantina nuk zgjat gjithmonë dhe me shumë mundësi po lëndoni të tjerët nëse mbifurnizoheni”, thuhet në një artikull të Washington Post./tvklan.al