Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, qeveria ka vendosur ndalimin e të gjitha automjeteve private në Tiranë dhe Durrës. Kjo masë e rreptë do të hyjë në fuqi në orën 06:00 të mëngjesit të 13 Marsit dhe do të zgjasë deri në orën 00:00 në mesnatë të datës 15 Mars.

Nëpër rrugë do të patrullojnë forcat policore, për të ndaluar lëvizjen e mjeteve private. Po kështu, edhe linjat e autobusëve do të jenë të pezulluara.

Qytetet e tjera që preken nga kjo masë janë Shkodra, Lezha, Elbasani, Lushnja, Fieri dhe Vlora.

Autoritetet bëjnë me dije se do të ketë përjashtime për lëvizjen e automjeteve. Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë adresës së email [email protected], listën e personave të autorizuar dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.

Po kështu, qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.

Policia e Shtetit bën me dije se do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.

Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.

Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës. /tvklan.al