Ardhja në jetë e një fëmije është padyshim një nga momentet më të bukura për prindërit. Por që fëmija të jetë i shëndetshëm dhe nëna të kalojë një shtatzëni të lehtë është shumë i nevojshëm këshillimi parakonceptual me mjekun gjinekolog.

Mjekja gjinekologe Mimoza Keta ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, për të folur në mënyrë të detajuar rreth rëndësisë së këshillimit parakonceptual. Keta tha se çiftet duhet të drejtohen patjetër tek gjinekologu për të bërë ekzaminime, për të vlerësuar shëndetin riprodhues, me qëllim që shtatzënia të ketë një ecuri të mbarë.

https://youtu.be/kT5W92J4QMQ?t=23s

“Këshillimi përpara se të konceptosh një shtatzëni është shumë i rëndësishëm. Në të gjithë botën flitet për këshillimin parakoncepsional. Çiftet duhet të drejtohen patjetër tek gjinekologu për të bërë ekzaminime për të vlerësuar shëndetin riprodhues, me qëllim që shtatzënia të ketë një ecuri të mbarë. Spermatozoidët, të cilët janë me miliona duke rënë në kontakt në vaginë, ku ka një ambient acid, një pjesë shumë e madhe e tyre ngordhin. Vetëm disa qindra arrijnë të penetrojnë brenda në kavitetin e mitrës. Ekzaminimi gjinekologjik bëhet për të vlerësuar qafën e mitrës, pasi infeksionet përqendrohen kryesisht aty ku ka dy lloj bakteresh, një që rritet në prani të oksigjenit dhe një tjetër që nuk rritet në prani të oksigjenit.

Në ditën e 14 deri në ditën e 16 të ciklit menstural formohet një vezë që në këto ditë del nga folikuli dhe fekondohet në tub me spermatozoidin. Më pas veza vendoset në kavitetin uterin.

Pa diskutim kontrolle duhet të bëjnë edhe meshkujt, shëndeti riprodhues vlerësohet në çift. Meshkujt duhet të bëjnë spermogramën dhe nëse rezulton me probleme duhet të fillojnë trajtimin.

Ekzaminimet që bëhen në qafën e mitrës janë: analiza dhe kultura e sekrecioneve vaginale, mykoplazma, ureaplazma dhe testi i klamidies. Ekzaminimi parakoncepsional ka si qëllim që të trajtojë të gjitha infeksionet dhe problemet që mund të ketë çifti përpara, me qëllim që kur të konceptojnë shtatzëninë ta kenë të mbarë”,

tha Keta.

/tvklan.al