Policia e Shtetit ka ngritur alarmin këtë të enjte në lidhje me një skemë mashtrimi që po kryhet në internet për trashëgiminë. Një skemë e përdorur gjerësisht nga mashtruesit dhe që njihet shkurtimisht si “Mashtrimi i Trashëgimisë”. Një qytetare shqiptare është vënë në pranga në Shqipëri pas kallëzimit të bërë nga një bankë e nivelit të dytë. Sipas policisë kjo qytetare, kishte vendosur në dispozicion të disa personave të huaj llogarinë e saj bankare me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë në hapësirën virtuale. Shqiptarja përfitonte 10% të shumës monetare për veprimet që kryente së bashku me këta shtetas të huaj, përfitimet e të cilëve kanë shkuar në 100 mijë Euro deri më tani dhe sipas policisë pritet që shifra të rritet pas hetimeve.

Autoritetet, duke marrë shkas nga zbulimi i një rasti të tillë në vendin tonë, me synim parandalimin e rasteve të tjera të ngjashme kanë sqaruar qytetarët se çfarë është “Mashtrimi i Trashëgimisë” dhe si funksionon kjo skemë kriminale. “”Mashtrimi i trashëgimisë” është kur thuhet se dikush shumë i pasur nuk është më dhe se ju jeni ai që mund të marrë një trashëgimi të madhe”, tha Hergis Jica nga njësia e Hetimit Kibernetik në Policinë e Shtetit.

Në këtë skemë kriminale një person, që pretendon të jetë avokat nga jashtë shtetit ose pretendon të jetë ndonjë nëpunës tjetër ligjor ju dërgon një mesazh nëpërmjet postës elektronike (e-mail), një mesazh në rrjete sociale ose një letër. Ata ju tregojnë se një person i pasur nuk është më dhe ka lënë pas një shumë të madhe parash duke përmendur dhe emrin tuaj. Avokati është duke administruar trashëgiminë dhe nuk ka qenë në gjendje të identifikojë asnjë nga të afërmit e personit që nuk është më. Si rezultat, paratë do të shkojnë për qeverinë ose nuk mund të tërhiqen. Avokati sugjeron që, ai mund t’ju ndihmojë që ju të tërhiqni trashëgiminë dhe pastaj mund të ndani paratë midis jush.

“Mashtruesit do të theksojnë nevojën për fshehtësi dhe do t’ju paralajmërojnë të mos i tregoni askujt tjetër në lidhje me marrëveshjen. Për t’ju nxituar në kryerjen e veprimeve dhe në të njëjtën kohë të ndërmerrni një vendim të nxituar, ata gjithashtu do të theksojnë nevojën për të vepruar shpejt duke vendosur dhe afate në raste të caktuara”, tha Jica.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë trashëgimi dhe personi që ju kontakton nuk është avokat ose nëpunës ligjor, ai thjesht po krijon një terren për të arritur qëllimin e tij, pra të mashtrojë personin që po komunikon. Nëse ju i përgjigjeni mashtruesve, ata do t’ju kërkojnë të paguani tarifa të ndryshme, si për shembull: taksat, tarifat ligjore, tarifat bankare etj., në mënyrë që ata të mund të lirojnë trashëgiminë ekzistuese, me qëllim që ju ta zotëroni atë. Sa herë që bëni një pagesë, mashtruesit do të nxjerrin arsye pas arsyeje se përse trashëgimia nuk mund të paguhet nëse ju nuk do të bëni një pagesë tjetër. Nëse kërkoni që këto pagesa të merren nga trashëgimia që ju po përfitoni, ata do t’ju japin gjithashtu arsye pse tarifat nuk mund të merren nga trashëgimia juaj dhe pse duhet të paguhen paraprakisht.

Nëse hezitoni të paguani një tarifë ose deklaroni se nuk mund ta përballoni atë, mashtruesit do t’ju bëjnë presion duke ju kujtuar se sa afër jeni për të marrë një shumë parash shumë më të madhe se tarifat që keni dorëzuar tashmë, dhe nga sa keni paguar tashmë. Mashtruesit mund të kërkojnë gjithashtu detajet tuaja të bankës në mënyrë që ata të mund të paguajnë trashëgiminë direkt në llogarinë tuaj bankare. Por, nëse dorëzoni detajet e bankës tuaj, mashtruesit mund t’i përdorin ato për qëllime të tjera kriminale.

Çfarë duhet të bëni nëse jeni viktimë e mashtrimit të trashëgimisë?

• Raportojeni tek Njësia e Hetimit Kibernetik në Policinë e Shtetit;
• Ndërprisni të gjitha kontaktet e mëtejshme me mashtruesit;
• Mos u dërgoni më para;
• Mos u jepni detajet e bankës suaj;
• Nëse tashmë ju keni dhënë mashtruesve detajet e llogarisë suaj bankare, njoftoni menjëherë bankën tuaj;
• Nëse merrni ndonjë kërcënim nga mashtruesit pasi të keni ndaluar bashkëpunimin me ta, njoftoni menjëherë policinë;
• Jini të vetëdijshëm se tani ka të ngjarë të jeni një shënjestër e mashtrimeve të tjera. Mashtruesit shpesh ndajnë detaje me mashtrues të tjerë për njerëzit që kanë shënjestruar ose që u kanë marrë me sukses shuma monetare, dhe ata përdorin identitete të ndryshme për të kryer mashtrime të mëtejshme;
• Njerëzit që kanë rënë tashmë viktima të mashtruesve janë veçanërisht të prekshëm nga mashtrimet për gjetjen e mashtruesve. Kjo është kur mashtruesit kontaktojnë njerëzit që tashmë kanë humbur para përmes mashtrimit dhe pretendojnë të jenë punonjës policie ose avokatë. Ata do ta këshillojnë viktimën se mund t’i ndihmojnë ata të rimarrin paratë e humbura dhe për këtë do të kërkojnë një tarifë.

Si të mbroni veten nga mashtrimi i trashëgimisë?

Megjithëse ka kompani të ligjshme që sigurojnë jetesën duke gjurmuar trashëgimtarë, ata nuk e bëjnë atë në këtë mënyrë. Nëse ju kërkohet një tarifë, ka shumë të ngjarë të jetë e rreme.

• Letrat/dokumentet e siguruara apo bisedat me mashtruesit në përgjithësi janë shkruar ose formulohen keq. Kini kujdes për gabime drejtshkrimore, gramatikë të dobët apo materiale të cilat nuk kanë kuptim në gjuhën shqipe.

• Kini kujdes nëse ju kërkohet të kontaktoni një adresë të postës elektronike si @Yahoo, @Hotmail apo të tjera të ngjashme. Si rregull, firmat e ligjshme nuk i përdorin ato.

• Një firmë e ligjshme nuk ka aspak të ngjarë të japë një trashëgimi tek dikush i cili nuk ka të drejtë për të. Çdo kërkesë për marrjen e një pagese tregon se dikush ka qëllime aspak të mira.

• Mashtruesit shpesh pretendojnë se personi i cili nuk është më, ishte viktimë e një incidenti të reklamuar mirë, siç mund të jetë një përplasje aeroplani. Për të shtuar besueshmërinë, ata mund të përdorin edhe identitetin e dikujt që me të vërtetë ka humbur jetën në këtë incident.

KUJDES! Rastet mund të jenë totalisht të ndryshme nga sa më sipër, por të gjitha do të kenë të përbashkët fitimin e një trashëgimie dhe pagesën për kryerjen e procedurave të ndryshme administrative dhe ligjore./tvklan.al