Alexis Tsipras dhe Kyriakos Mitsotakis shtrënguan duart dhe shkëmbyen pushtetin paqësisht një ditë më parë pas fitores së Demokracisë së Re në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi. Tsipras “i dorëzoi çelësat” e Kryeministrisë fituesit Mitsotakis. Mes tyre pati një bisedë të shkurtër, por sikleti ishte i dukshëm.

Stafi i ri dhe grupi i punës i Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis zbuloi disa gjëra në godinën e Kryeministrisë. “Kathimerini” shkruan se dyert e disa zyrave ishin të mbyllura. Arsyet janë të panjohura. Për t’i hapur, u thirrën disa ekspertë. Por ky nuk ishte i vetmi problem. Kudo nëpër korridoret e Kryeministrisë, apo siç grekët e quajnë “Maximus Megaron”, ndihej era e tymit të duhanit.

Megjithatë, Kryeministri i ri Mitsotakis nuk ka humbur kohë për të formuar qeverinë. Të dielën u shpall fitues, të hënën u betua tek Presidenti dhe më pas mori detyrën nga Tsipras, kurse gjatë pasdites prezantoi emrat e ministrave të rinj. Këta të fundit pritet që të betohen sot, ndërsa për të mërkurën është planifikuar që qeveria e re të zhvillojë mbledhjen e parë për ndarjen e detyrave. /tvklan.al