Stop përcolli historinë e trishtë të familjes Korini, në një fshat në Delvinë. Kryefamiljarja Elvira Korini rrit e vetme dy fëmijë jetimë, Elsa dhe Elidoni. Ata kanë probleme me sytë dhe nuk marrin as ndihmë ekonomike. Stop dhe Fundjavë ndryshe nisin fushatën, për të ndihmuar këtë familje me shtëpi të re dhe mundësi jetese.

“Çfarë i kemi bërë ne të keqe Zotit, që kemi marrë këtë dënim kaq të keq. Unë nuk dua më këtu, dua të iki. Mua më shajnë shumë shokët nga babai im. Më thonë mamanë e ke qorre, babanë se ke fare… në klasën time më tallin më shumë dhe kjo më trishton shumë. Unë nuk e di cila është e vërteta, unë dua që ta kem babain tim, por nuk e kam. Dua t’i kem të dy si shokët dhe shoqet e mia, edhe shtëpinë. Edhe mamin dua që të më shikojë, por s’mundem. Nuk kam asnjë shoqe, dua edhe të kem shoqet e mia, por nuk i kam”, thotë mes lotëve vajza e vogël Elsa.

Elsa dhe Elidoni janë vetëm 8 dhe 9 vjeç. Për ta vuajtjet janë duke u shtuar çdo ditë. Jetojnë në qytetin e Delvinës, në një shtëpi, kushtet e së cilës po rrezikojnë shëndetin e tyre. Para 4 vitesh, babai ndërroi jetë prej një sëmundjeje në mushkëri, duke i lënë në mëshirë të fatit, pasi edhe Elmira, mamaja, në njërin sy ka humbur plotësisht shikimin, ndërkohë tek tjetri sheh shumë pak, duke e bërë të pamundur për të punuar. Ata nuk kanë ëndrra si çdo fëmijë, përkundrazi, edhe kur mbyllin sytë jetojnë në makth.

“Ata janë shumë të këqinj me ne. Ata edhe bukën dje ma hodhën nga dora duke më goditur. Më goditën në bark dhe më ra buka nga dora. Të gjithë marrin pite dhe gjëra të mira, kurse unë me Elsën marrim vetëm bukë thatë“, thotë Elidoni.

“Të vuajnë fëmijët për copën e bukës, të vuajnë fëmijët t’i torturojnë, t’i rrahin. Përkrahje nuk kam, ndihmë uk kam, njeri nuk kam këtu, vetëm këta të dy, asnjë tjetër. Asnjë të ardhur nuk kemi. Asgjë, një ndihmë 20 mijë lekë merrja. Edhe atë ma prenë. Më lanë gati 1 vit pa ma dhënë ndihmën ekonomike”, tregon nëna e tyre Elvira.

“Asgjë nuk është e jona, vetëm kemi mamanë tonë përdore. Jemi në mes të 4 rrugëve, zoti i shtëpisë i kërkon lekët përditë, ku t’i gjejmë, ne nuk kemi, do na nxjerrin nga shtëpia, si nuk na kanë nxjerrë këto ditët e fundit. Ne nuk mund të rrimë dot këtu më. Mua më mbytën ilaçet, nuk rri dot më këtu, dua të iki në një shtëpi tjetër. S’mundem dot më”, shton Elsa.

Nëna e saj shpjegon se ka 2 muaj që nuk e ka paguar qiranë, ndërsa tregon se kushtet e shtëpisë janë tepër të këqija.

“Jemi afër detit po si mund të arrijmë atje kur nuk kemi as edhe një qindarkë për të shkuar…”, shton Elidoni, i cili thotë se nuk e ka parë kurrë detin, përveçse në foto./tvklan.al