Çfarë i kërkoi Meta-Bashës, Presidenca zbardh takimin



Çfarë i kërkoi Meta-Bashës, Presidenca zbardh takimin

13:08 15/07/2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Kryetarin e opozitës së bashkuar, Lulzim Basha. Presidenti Meta vlerësoi qëndrimin e opozitës për rikthimin në institucione dhe për t’i shërbyer stabilitetit dhe të ardhmes europiane të vendit.

Në një njoftim për mediat nga zyra për shtyp e Presidentit, thuhet se kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu sjelljen e përgjegjshme të opozitës gjatë situatës së pandemisë dhe kontributin konstruktiv që u dha gjatë mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për përballimin e situatës në vend.

Meta theksoi veçanërisht faktin që opozita u vetëpërmbajt duke mos rënë në kurthin e prishjes së Teatrit Kombëtar, si dhe faktin që nuk vendosi si kusht qeverinë tranzitore duke bërë të mundur arritjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit, që u përshëndet nga të gjithë partnerët strategjikë të vendit.

Kreu i Shtetit u shpreh se përveç gjuhës, flamurit dhe Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shqiptarët janë të gjithë të bashkuar edhe përreth Kushtetutës dhe të ardhmes europiane të vendit.

Presidenti, thuhet më tej në njoftim, i kërkoi Kryetarit Basha që të vazhdojnë t’i qëndrojnë Marrëveshjes së 5 Qershorit, pavarësisht përpjekjeve të pashpresa për të cënuar Kushtetutën, duke paralajmëruar se çdokush që punon kundër të ardhmes europiane të vendit do të mbajë përgjegjësi individuale dhe të drejtpërdrejtë.

Meta bëri edhe një herë thirrje që Marrëveshja e 5 Qershorit të zbatohet me përpikmëri dhe pa vonesa, duke hapur rrugën e zbatimit të 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane të Bashkimit Europian.

Kreu i Shtetit kërkoi braktisjen e menjëhershme të çdo përpjekjeje që minon këtë proces dhe që do të prapësonte për herë të parë në historinë e Shqipërisë një marrëveshje të dakordësuar me ndërmjetësimin më të lartë ndërkombëtar./tvklan.al




Të ngjashme