Mjekët kanë hequr një krimb 7 centimetra të gjatë nga syri i një personi. Ngjarja ka ndodhur në Indi dhe pacient është një 70-vjeçar.

Jasubhai Patel ankohej gjithmonë për syrin gjatë viteve të fundit. Dëshpërimisht kishte kërkuar ndihmë nga disa doktorë, por asnjëri nuk kishte mundur të gjente ndonjë sëmundje.

Sidoqoftë një muaj më parë, një mjek arriti të dallonte parazitin në pjesën mbrapa të syrit. Siç shikohet edhe nga pamjet e publikuara në “The Mirror” dallohet momenti, kur doktori heq nga syri krimbin e gjatë.

Sipas doktorit nëse nuk hiqej, paraziti mund t’i dëmtonte shikimin 70-vjeçarit.

“E nxorrëm të gjallë. Pacientit i bëmë anestezi lokale. Ai mund ta ndjente krimbin teksa nxirrej nga syri. Nëse nuk hiqej shpejt, pacienti mund të verbohej. Gjithashtu kishte mundësi që krimbi të shkonte në tru përmes venave”, u shpreh doktori Milan Panchal.

Pacienti 70-vjeçar jetonte vetëm dhe punonte në një kuzhinë. Doktorët dyshojnë se krimbi mund të ketë hyrë pas kafshimit nga një qen. /tvklan.al