Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka qenë e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan ku ka folur për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, situatën e nxehtë politike dhe të tjera zhvillime.

Që në nisje të intervistës, është pyetur për zgjedhjet e 25 Prillit, kur Partia Socialiste fitoi mandatin e 3 qeverisës.

Ambasadorja Kim është shprehur se Uashingtoni uroi Kryeministrin Rama për fitoren, por njëkohësisht edhe Partinë Demokratike për fushatën e fortë që zhvilloi.

Me përjashtim të disa problemeve, ambasadorja Kim deklaroi se në përgjithësi zgjedhjet ishin të mira.

Blendi Fevziu: Të gjithë duan opinionin tuaj për zgjedhjet e 25 Prillit. Çfarë mendoni për zgjedhjet?

Ambasadorja Kim: Mendoj që ODIHR, që janë vërtet ekspertët për zgjedhjet, kanë nxjerrë gjetjet e tyre fillestare dhe ne i kemi mbajtur shënim. Për shembull, ata vërejnë që zgjedhjet ishin të rregullta dhe përgëzuan autoritetet për administrimin e zgjedhjeve shumë mirë. Megjithatë, vërejtën edhe disa probleme dhe pritshmëria jonë, si SHBA, është që ato probleme do të trajtohen, por për pjesën më të madhe, siç e patë në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të fortë. Prandaj mendoj që në tërësi, jemi të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet.

Blendi Fevziu: Po, ishte një fushatë shumë konkurruese, por ishte i njëjti rezultat, pak a shumë për shumicën, si në vitin 2017 dhe ka shumë komente lidhur me problemet në zgjedhje. Sigurisht, ODIHR ka nxjerrë një raport paraprak, por nuk kemi ende raportin përfundimtar. Ju e keni ndjekur nga shumë afër procesin dhe ditën e zgjedhjeve. Cili është opinioni juaj personal për zgjedhjet?

Ambasadorja Kim: Mendoj se nuk është me vend të ofroj një mendim personal për çka pashë. Gjithë ç’mund të them është se në mendimin tim, dita ishte e karakterizuar nga shpresa. Lidhur me aspektet teknike, ka dy gjëra që duhet të ndodhin: së pari…

Blendi Fevziu: Keni qenë në vende të ndryshme ditën e zgjedhjeve…

Ambasadorja Kim: Isha kudo në vend…

Blendi Fevziu: …kudo në vend?

Ambasadorja Kim: Po, siç e dini, kishim rreth 25 ekipe nga ambasada dhe ishim nga Shkodra në Sarandë, kudo…

Blendi Fevziu: …25 ekipe nga Ambasada Amerikane?

Ambasadorja Kim: Vetëm nga Ambasada Amerikane…

Blendi Fevziu: …me amerikanë dhe shqiptarë?

Ambasadorja Kim: Saktë. Saktë. Kishim dikë që ishte amerikan dhe secili nga këta shoqërohej nga dikush me shqipe të rrjedhshme që të kuptonim sa më mirë që mundej për çka shikonim dhe dëgjonim. Pra, kishim të gjithë këta në gjithë vendin dhe, siç e dini, komuniteti ndërkombëtar kishte qindra të tjerë. Dhe kjo sigurisht përfshin ekspertët e ODIHR. Ndaj, mendoj se kishim një vështrim goxha të mirë mbi situatën ditën e zgjedhjeve por edhe më pas. 

Blendi Fevziu: Keni mbuluar thuajse të gjithë Shqipërinë me 25 grupe nga Ambasada Amerikane dhe të tjerët nga…

Ambasadorja Kim: …saktë, kombinuar me cilindo tjetër që ishte këtu në ditën e zgjedhjeve, por edhe përpara ditës së zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, gjatë numërimit. Vazhdojmë ta ndjekim nga shumë afër dhe, deri tani mirë. /tvklan.al