Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, deklaroi këtë të mërkurë se tarifa ndaj Serbisë duhet të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ajo theksoi kjo duhet kryer një studim i mirë dhe me partneritetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me këtë çështje.

“Tarifa dhe jo taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Reciprociteti është masë që e njohin shtete në fushën e të drejtës kombëtare. Nëse bëjmë një analizë të veprimeve që Serbia bën në raport me mallrat e Kosovës, ta zëmë nuk njeh vulat doganore, certifikatat që lëshojnë institucionet tona për të certifikuar kualitetin e mallit atëherë ne duhet të ulemi. Mirëpo duhet ta kemi të qartë që masat e reciprocitetit nuk merren me një vendim shkel e shko pa një studim të mirë dhe pa partneritetin e SHBA-ve.

Tarifa nuk do të jetë e nevojshme që të mbahet pasi të vendoset masa e reciprocitetit për shumë arsye. E para është për shkak se raporti tregtar me Serbinë mund të rregullohet vetëm nëpërmjet reciprocitetit. Për momentin kemi një deficit aq të madh saqë shkon te 1400. Nuk është vetëm çështje tregu. Ju them që Serbia ka vendosur barriera të tilla, të cilat asnjë shtet deri sot nuk do të pranonte pa vendosur masë reciprociteti”, tha Osmani.  

Sipas Osmanit, Haradinaj e vendosi tarifën pa u konsultuar dhe këtë e bëri që të mbronte kufijtë. Por tashmë sipas kandidates për kryeministre nga LDK nuk është e nevojshme që të jetë tarifa pasi qeveria e ardhshme do t’i mbrojë kufijtë. Gjithashtu ajo deklaroi se Haradinaj e ka përdorur tarifën për politikë të brendshme.  

“Ne nuk mund të vendosim një masë të tillë për aq kohë sa SHBA, BE, Gjermania janë të interesuar për t’i dhënë një imput të ri procesit të dialogut Serbi-Kosovë”, tha Osmani.  /tvklan.al