Të xhirosh gomat e makinës e të bësh manovra të rrezikshme në rrugë, nuk është ideja më e mirë. Padyshim që nëse kjo ndodh para një komisariati policie, nuk mund të kalojë pa pasoja. Këtë mësim me gjasë e mori edhe ky i ri që shfaqet në videon e përcjellë për mediat nga Policia e Tiranës.

Protagonist i këtyre pamjeve është një 29-vjeçar nga Tirana, i cili pas aventurave në rrugë u kap nga Policia Rrugore.

“Nisur nga postimi në disa portale elektronike, ku shfaqej një automjet i markës Mercedes Benz me ngjyrë të bardhë duke bërë manovra të rrezikshme dhe xhirime gomash në rrugën “Llazi Miho”, përpara Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, shërbimet e Policisë, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave përreth vendit ku drejtuesi i mjetit kishte xhiruar gomat, bënë të mundur identifikimin e automjetit“, thotë policia në një njoftim për mediat.

Pasi e identifikuan, autoritetet policore e ndaluan 29-vjeçarin në Unazën e Re.  

Policia thotë se “ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, ku po kryhen dhe verifikimet e nevojshme, me qëllim procedimin penal të personit përgjegjës për veprimet dhe sjelljet e rrezikshme në rrugë, si dhe procedimin administrativ për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor të konsumuara nga drejtuesi i këtij automjeti, që kanë rrezikuar jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës që gjendeshin në afërsi të vendit ku automjeti po kryente manovrat e rrezikshme”./tvklan.al