Të dyja partitë kryesore në vend pretendojnë se kanë fituar në votimet që u kryen të dielën e 25 Prillit. Po si paraqitet situata në dy kampet kundërshtare?

Gazetarja Elja Zotka raportoi për Klan News nga selia rozë se pritshmëritë e PS-së janë ato që në fakt drejtuesit kanë deklaruar më parë. Zotka u shpreh se mes drejtuesve në PS është bindja që deri në numërimin e fundit të kutive do të mbahen 76 mandate. Madje socialistët pretendojnë se në Qarkun e Tiranës duke pasur parasysh edhe trendin mund të arrijnë në një mandat të 20. 

“Mund të flas vetëm për një projeksion që është edhe ai më me interes, kryeqyteti. Socialistët janë të bindur që do t’i mbajnë 19 mandate, madje sipas tyre duke parë edhe trendin, mendojnë që do të jetë një mandat i 20 në kryeqytet i cili mund ta marrin ose socialistët ose PSD e Tom Doshit”, tha Zotka.

Ndërkohë është zbehur disi situata në selinë blu. Fillimisht demokratët kanë deklaruar se presin deri në 20 mandate në kryeqytet, por sipas gazetares Jolldiz Mitro, për momentin, duke patur parasysh zgjedhjet e 2017-ës, pritshmëria e PD-së është tek të fituarit 16 mandate.

“Pritshmëria e demokratëve për Tiranën ka qenë deri në 20 mandate, por deri në këto momente qëndrojnë në raportin e zgjedhjeve të vitit 2017 ku socialistët morën 18 mandate deputetësh. Në 2017 pati 15 mandate deputetësh dhe pritet të shkojë në 16 mandate deputetësh”, tha Mitro.

Si duket atmosfera në të dyja kampet?

Zotka raportoi se Rama ka bërë gjithsej një dalje publike dhe këtë për t’u kërkuar komisionerëve angazhim dhe të mos dorëzohen deri në momentin që do të numërohen kutitë. Aktualisht kryeministri ndodhet në selinë rozë, raportoi gazetarja.

“Kryeministri Rama është larguar disa herë dhe aktualisht ndodhet në selinë e PS së bashku me Veliajn”, tha Zotka.

Në zyrën e tij ndodhet edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha.

“Lulzim Basha ndodhet në zyrën e tij. Gjatë ditës së sotme ka pasur një komunikim me mediat nga ana e Bashës ku ka folur për bastione të thyera të Partisë Socialiste. Ai ka folur edhe për epërsi në disa prej bashkive në vend”, raportoi nga selia blu, gazetarja Mitro.

Sa i përket atmosferës, Zotka u shpreh se ndryshe nga një ditë më parë, në selinë rozë janë më optimistë.

 “Mund të flas po ta krahasojmë situatën e djeshme pasi dolën exit pollet e para me atë që është sot në selinë rozë. Ditën e djeshme situata ngjante pak e nderë, jo vetëm tek mbështetësit e PS por edhe drejtuesit. Të linin shumë pak për të lexuar se çfarë po prisnin nga ky rezultat. Sot duket një situatë tjetër. Janë shumë më optimistë dhe këtë e kanë reflektuar me deklaratat që kanë bërë ditën e sotme”, tha Zotka.

Ndërkohë nga ana tjetër, në selinë e PD-së ka rënë heshtja.   

“Euforinë e një dite më parë, por edhe të orëve të paradites e ka zënë heshtja në selinë blu”, tha Mitro. /tvklan.al