Çfarë ndodh me shqiptarët në Greqi? Mafia e burgut planifikonte vrasjen e dëshmitarëve në gjyq

Çfarë ndodh me shqiptarët në Greqi? Mafia e burgut planifikonte vrasjen e dëshmitarëve në gjyq

11:00 01/04/2019

Mediat greke kanë zbardhur një ngjarje të rëndë kriminale që është parandaluar nga autoritetet. Është fjala për “mafien e burgut” të Koridhalos, ku vuajnë dënimin shumë të burgosur shqiptarë. Sipas televizionit grek “Open”, kreu i mafies së burgut të Koridhalos, që thuhet se është një shqiptar, kishte planifikuar vrasjen e dy personave në gjyqin që zhvillohet në Athinë për ekzekutimin e avokatit Mixaleis Zafeiropoulos. Ky i fundit është vrarë nga shqiptarët Mikel Brahimaj dhe Aleksandër Mata. Ky i fundit është ende në kërkim, ndërsa Brahimaj u ka thënë hetuesve më herët se urdhrin për të vrarë avokatin grek e kishte marrë nga burgu i Koridhalos.

Sipas të dhënave mediatike nga Athina, ishte planifikuar vrasja në gjyq e Makis Voridis, avokati i familjes së Zafeiropoulos, dhe Aristeidis Floros, dëshmitar për këtë çështje dhe njëkohësisht i burgosur për një dosje tjetër penale. Kreu i mafias së burgut të Koridhalos kishte urdhëruar që në sallën e gjyqit të futeshin dy stilolapsa. Brenda tyre ishin të fshehura thika të improvizuara, të cilat do të përdoreshin për të sulmuar në gjyq dy personat e sipërpërmendur.

Në kuadër të këtyre hetimeve, autoritetet greke kanë arrestuar edhe dy avokatë të cilët kanë lidhje me organizatën kriminale që drejtohet nga burgu i Koridhalos. Avokatët janë përgjuar para disa kohësh duke biseduar në telefon me të burgosur shqiptarë e grekë. Ata akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Nuk është e qartë se në cilën seancë gjyqësore ishte planifikuar të ndodhte sulmi, megjithatë policia ka marrë masa të rrepta sigurie në gjyqet që janë zhvilluar për këtë çështje.

Kush është Aristeidis Floros?

Aristeidis Floros është një bizmesmen grek i dënuar me 21 vite burgim për nxitjen e vrasjes së mbetur në tentativë të avokatit tjetër grek Giorgos Antonopoulos, ngjarje e ndodhur në vitin 2014 jashtë shtëpisë së tij. Për këtë ngjarje janë dënuar gjithashtu dy shqiptarët Oldi Duçe dhe Arbër Bako, ky i fundit u vra në burgun e Koridhalos më 14 Janar 2019 nga dy të burgosur të tjerë. Aristeidis Floros konsiderohet njëkohësisht edhe si dëshmitar kyç dhe që ka dijeni për vrasjen e avokatit Mixaleis Zaferipoulos dhe dëshmia e tij në gjyq shihet si kërcënim nga krerët e mafies së burgut të Koridhalos. Sipas shtypit grek, për të njëjtën arsye dyshohet se u vra edhe Arbër Bako, i cili mendohet se do të dekonspironte para hetuesve grekë “shefin” e mafies së burgut dhe do të tregonte përfshirjet e tij kriminale.

Çfarë i lidh mafien e burgut të Koridhalos me sulmet ndaj avokatëve?

Sipas informacioneve që publikohen në shtypin grek, dy avokatëve u ishte vendosur gjobë nga të burgosurit shqiptarë e grekë që kontrollojnë burgun e Koridhalos. Ata kërkonin prej tyre shuma të mëdha parash dhe shpeshherë i kërcënonin që të paguanin gjobën. Aristeidis Floros para hetuesve kishte deklaruar se në verën e vitit 2017, ka patur një takim mes avokatit Mixaleis Zafeiropoulos (ky u vra më Tetor 2017) dhe dy përfaqësuesve të avokatit Giorgos Antonopoulos (që u tentua të vritej në 2014). Përfaqësuesit e këtij të fundit i përcollën avokatit Zafeiropoulos kërkesën se ata ( mafia e Koridhalos) duan 2 milionë Euro. Sipas dëshmisë së Floros, njëri nga dy përfaqësuesit i kishte thënë avokatit Mixaleis Zafeiropoulos se:

“Ne kontrollojmë shqiptarët nëpër burgje. Jep paratë dhe do të kujdesemi ne që ata të ndryshojmë deklaratat e tyre”.

/tvklan.al




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi