Çfarë ndodh nëse injektohen doza të ndryshme të vaksinës anti-Covid?



Çfarë ndodh nëse injektohen doza të ndryshme të vaksinës anti-Covid?

11:20 13/05/2021

Një studim është kryer së fundmi për të zbuluar se çfarë ndodh me trupin e njeriut nëse injektohen doza të ndryshme të vaksinave anti-Covid, për shembull dozën e parë Pfizer dhe të dytën AstraZeneca.

Studimi ka dalë në konkluzion se përzierja e dozave rrit shanset e efekteve anësore të lehta deri të moderuara. Këto të dhëna kanë dalë nga një studim britanik i Universitetit të Oxford dhe që janë botuar në revistën shkencore mjekësore The Lancet.

Sipas studimit, efektet anësore janë të tilla si të dridhura, dhimbje koke, ethe, lodhje trupore dhe lodhje muskulore. Përpos këtyre, studiuesit thonë se përzierja e dozave të vaksinave të ndryshme anti-Covid nuk përbën rrezik serioz për shëndetin.

Studiuesit e Universitetit të Oksdordit thanë se dozat e vaksinave tek vullnetarët u dhanë për 4 javë. U aplikuan të dyja skemat; pra doza e parë Pfizer dhe e dyta AstraZeneca, dhe skenari i dytë që doza e parë ishte AstraZeneca dhe e dyta Pfizer.

Simptomat u raportuan nga të vaksinuarit 7 ditë pas injektimit të dozës së dytë në të dyja rastet e sipërcituara.

Por pavarësisht gjetjeve të këtij studimi, nuk dihet ende dhe nuk ka të dhëna të sakta nëse përzierja e vaksinave ka të njëjtin efikasitet në mbrojtjen nga virusi. /tvklan.al







Të ngjashme