Emisioni “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka trajtuar këtë të martë një temë shumë interesante: A ka të drejtë një grua në burg të bëhet nënë? Për këtë çështje ka qenë e ftuar në studion lëvizëse, avokatja Drita Avdyli, e cila u shpreh se një grua, kur ka bërë një vepër penale, i hiqet e drejta për të votuar e për të qenë e lirë, por jo ajo e mëmësisë.

Aldo: Një grua në burg, ka të drejtë të bëhet nënë, pavarësisht dënimit?

Drita Avdyli: Shiko, meqenëse kjo femër vuan një dënim, që do të thotë ka bërë një vepër penale, asaj i është hequr e drejta vetëm për të votuar dhe për të qenë e lirë, kështu që të drejtat e tjera ekzistojnë. Kështu që ajo ka të drejtë të bëjë takime në dhoma personale me bashkëshortin, ose nëse është një e re, me bashkëjetuesin, e kështu me radhë.

Aldo: Edhe me bashkëjetuesin, edhe me të dashurin?

Drita Avdyli: Po. Pra janë në bashkëjetesë dhe nëse kanë bërë një kontratë noteriale që janë në këtë lidhje. Kështu që, sigurisht që mëmësia është një e drejtë dhe përveç kësaj, janë gjithë ato aktet nënligjore që rregullojnë me programe, sigurisht ndihmuese, nëse kjo mbetet shtatzënë gjatë kësaj periudhe të kryerjes së dënimit. Përveç programeve ndihmuese, ka dhe pjesën tek spitali i burgut për periudhën që do të lind, që do mbahet në kujdes, e kështu me radhë. Ka shumë raste, që nënat gjatë periudhës së burgut mund të ngelin shtatzënë, por edhe gjatë veprës penale ka qenë shtatzënë dhe procesi i lindjes ka ndodhur në momentet të kryerjes së veprës penale.

Aldo: Në një farë mënyre, ne e dënojmë një foshnje pa lindur akoma?

Drita Avdyli: Jo! Kjo nëna duhet të jetë e ndërgjegjshme që gjatë kësaj periudhe, të mos të bëhet nënë. Gjithsesi, këto janë gjëra që nuk komandohen ose që mund të komandohen, megjithatë ne nuk i heqim të drejtën juridike të mëmësisë, pra është një e drejtë tjetër, pavarësisht veprës penale. Pastaj, nëse kjo lind në këtë periudhë, atëherë në bazë të nenit 59 dhe 284, për ligjin e ndërmjetësimit, nëpërmjet shërbimit të provës, mund të bëhet me marrëveshje ndërmjetësimi që kjo të kthehet në regjim Shërbim Prove. Pra varet nga vepra penale që ka kryer.

Aldo: Çfarë është Shërbimi i Provës, se unë s’e kuptoj.

Drita Avdyli: Shërbimi i Provës, është një institucion shtetëror që merret me personat për kryerjen e dënimit, me shërbime alternative. Shërbimi i Provës është një institucion shumë i rëndësishëm që merret pikërisht me këto persona. /tvklan.al