Rrjetet sociale rrisin vetëpëlqimin. Realiteti në të cilin jetojmë, aty ku kryesisht virtualja mbizotëron edhe mbi realen, është një fenomen që po vë në krizë unin tonë. Sipas specialistëve të neuroshkencës e psikoanalistëve të mbledhur në një konventë në Romë, me titullin “Exploring the Self”, të qëndrosh në mënyrë konstante në linjë është një faktor që rrit patologjitë që lidhen me narcizmin. Pra krijohet një fokusim më i lartë mbi veten duke lënë pas dore realen, por edhe duke krijuar një sens dobësie ndaj botës që na rrethon.

Sipas specialistëve, aty ku uni është më pak i strukturuar, atëherë edhe rreziku për të rënë pre e qëndrimit të tepruar në rrjetet sociale është më i lartë. Në këtë mënyrë, njeriu, veçanërisht të rinjtë, gjejnë këtë mënyrë për të thënë që “unë ekzistoj” dhe çdo gjë bëhet si një rreth vicioz duke ulur interesin për atë që i rrethon.

Sipas ekspertëve, cilësia e marrëdhënieve personale është një termometër i vlefshëm për të kuptuar nëse diçka nuk shkon në realitet. Pra, hipoteza është se rrjetet sociale dhe selfiemania nëse përdoren pa kriter, diçka shkaktojnë në unin e njeriut, duke i rritur dozën e egos në ekstrem.

Klan Plus