Pasi u paragjykua nga drejtoresha dhe prindërit, lajme të mira për mësuesin Ilir Çopja

Pasi u paragjykua nga drejtoresha dhe prindërit, lajme të mira për mësuesin Ilir Çopja

21:32 24/10/2019

Një ditë pasi emisioni “Stop” në Tv Klan trajtoi rastin e mësuesit Ilir Çopja që u paragjykua nga drejtoresha e shkollës dhe këshilli i prindërve, sot ka lajme të mira. Ilir Çopja do të punësohet si mësues ndihmës në një nga shkollat e qytetit të Elbasanit ose mund të aplikojë për pozicionin e specialistit në Zyrën Arsimore Vendore të Elbasanit.

Ne menjëherë sapo morëm dijeni jemi organizuar për të mbledhur informacion nga ZVA Elbasan, takim me prindër dhe takim me personin e interesuar z.Ilir, dhe kemi dalë në një konkluzion rreth situatës së krijuar. Nga ana e ZVAP procedura në zbatim të udhëzimit 13 është ndjekur korrekt, janë bërë të gjitha njoftimet në kohë. Ilir ka shkuar në shkollën Vidhas, ka filluar punë aty dhe ka punuar më pak se 10 ditë. Ka pasur një problematikë në lidhje me pranimin nga ana e prindërve të kësaj shkolle për mësuesin në fjalë. Duke marrë shkas edhe nga mësuesi që ka paraprirë punën në këtë shkollë pasi ka reflektuar disa problematika dhe është larguar duke qenë në ndjekje penale, ndoshta mund të konsiderohet dhe paragjykim. Ndërkohë, Zyra Arsimore duke qenë se z/Ilir është kandidat i portalit i renditur shumë mirë, i dyti, i ka ofruar mundësinë për të punuar si mësues ndihmës nëse do të krijohej mundësia në një nga shkollat e qytetit. Duke qenë se mësuesi ndihmës ka dhe mbështetjen e mësuesit kryesor dhe mund të integrohet shumë më mirë për të filluar punë në sistemin arsimor. Një mundësi tjetër që mund të jetë për z.Ilir në vijim duke qenë se zyrat arsimore vendore janë në fazën e ristrukturimit, mund të aplikojë në një nga vendet e lira për specialist të kurrikulës në zyrat arsimore me shpalljen e konkurseve. Punësimi në zyrat arsimore vendore si specialist i kurrikulës do të jetë një mundësi e mirë për të dhe z.Ilir e pëlqen këtë pjesë. Shpresojmë që në konkursin e ardhshëm të aplikojë dhe të jetë fitues”, thotë përgjegjësi i Burimeve Njerëzore DPAP, Fiqiri Çifliku.

Sa i përket drejtoreshës së shkollës “Seit Pepa” në fshatin Vidhas, Silvia Jani, Fiqiri Çifliku shprehet se komisioni i disiplinës do të hetojë nëse ka shkelje nga ana e saj.

Në lidhje me menaxhimin e situatës nga drejtoresha e shkollës dhe në mënyrën e komunikimit dhe me persona që kërkojnë informacion në shkollë, kemi autorizuar Zyrën Arsimore Vendore Elbasan që të trajtojë rastin në komisionin e disiplinës dhe të shprehet me një vendim përkatës në varësi të shkeljes që është vënë re”, deklaron përgjegjësi i Burimeve Njerëzore.

Nga ana tjetër, mësuesi Ilir Çopja ka falenderuar emisionin ‘Stop’ dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar që i dha zgjidhje situatës së tij.

“Së pari, falenderoj emisionin “Stop” që mori përsipër rastin tim. Sot pas takimit që pata me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, mora prej tij një zotim i cili më dha dy opsione. Së pari për të qenë mësues ndihmës në një prej shkollave në Elbasan dhë së dyti kur të hapet një vend i lirë pune pranë ZAV Belsh ose Cërrik për të qenë pjesë e administratës”, thotë mësuesi Ilir Çopja.

Një ditë më parë, emisioni “Stop” denoncoi rastin e tij që nuk ushtronte dot profesionin e mësuesit. Edhe pse i pozicionuar në vendin e dytë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, Ilir Çopja ishte paragjykuar nga këshilli i prindërve. Më 24 Shtator, Iliri filloi punë provizorisht në shkollën “Seit Pepa” në fshatin Vidhas. Më 1 Tetor, nga Zyra Arsimore Elbasan i paraqitet një dokument i një mbledhje nga drejtoresha e shkollës bashkë me këshillin e prindërve, ku Iliri ishte vlerësuar dobët për shkak të vështirësisë në të folur. Gazetarja e emisionit Stop shkoi në shkollën e fshatit Vidhas për të takuar drejtoreshën Jani, por kjo e fundit u mbyll në zyrën e saj duke kyçur derën me çelës sapo pa kamerën. /tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi