Reagon Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik

Një shqiptar kërcënoi se do hidhej nga kati i 12-të i një godine në Selanik të Greqisë këtë të diel. Pas disa orësh, autoritetet duket se e bindën shqiptarin që të zbriste nga godina.

Pikërisht për këtë ngjarje reagoi Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik, e cila konfirmon se shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ndodhet në rajonin e policisë dhe se vetë Konsulli është takuar me vajzën e tij.

“Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik sapo mori dijeni për ngjarjen e ndodhur gjatë pasdites së sotme të një shtetasi shqiptar me banim në Lagkada, i cili ka tentuar t’i japë fund jetës së tij për motive personale, është vënë në kontakt menjëherë me drejtuesit e Rajonit Qendror të Policisë në Selanik si dhe është takuar tanimë edhe me vetë shtetasin, i cili ndodhet aktualisht në këtë rajon. Konsullata është lidhur menjëherë edhe me familjarët e shtetasit dhe aktualisht, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik është në takim me vajzën e shtetasit duke ndjekur situatën në vijimësi për të gjetur mundësinë e zgjidhjes sa më parë, në ndihmë të shtetasit shqiptar“, thuhet në reagimin e Konsullatës Shqiptare.

Sipas mediave greke, shqiptari u tha policëve se e kishte ndërmarrë këtë veprim sepse nuk kishte dokumente, punë e as shtëpi dhe jetonte në një kasolle./tvklan.al