Qëllohet për vdekje në Elbasan Pjerin Xhuvani. Shkak përplasja mes militantëve të partive PS dhe PD

Ky është momenti kur qytetarë të Elbasanit largohen të frikësuar nga përplasja me armë ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, personi që shihni në këtë foto dhe ku u plagosën 4 persona të tjerë, mes tyre edhe Xhensila Sota, punonjëse e policisë.

Të plagosurit e tjerë janë Pavlo Vuksani 50 vjeç, Emiljan Prenga 39 vjeç, të dy ish-punonjës policie dhe Eltjon Bodinaku, 32 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së mërkurës, kur 3 furgona që drejtoheshin nga disa persona pjesë e shtabit të Partisë Demokratike, kanë ndaluar këtë fuoristradë tip  Benz-in ML, pa targa, me pretendimin se personat që gjendeshin në të shpërndanin para dhe u merrnin zgjedhësve karta identitetit.

Në vendngjarje ka shkuar edhe policia si dhe mbështetës të tjerë të PS-së, përfshi edhe viktimën, i cili mësohet se ka mbërritur me një makinë tjetër. Pavarësisht pranisë së forcave të policisë situata ka dalë jashtë kontrollit dhe palët kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në drejtim të njëri tjetrit. Ky është trupi i pajetë i Pjerin Xhuvanit pak momente pasi u qëllua në lagjen “5 Maji”.

Këto janë momentet kur dy nga të plagosurit e kësaj ngjarje mbërrijnë në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë, ndërkohë që mësohet se Eltjon Bodinaku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Sipas policisë autori i krimit është 36-vjeçari Arber Paplekaj, një ish-efektiv i forcave RENEA dhe ish-punonjës i stafit të Ambasadës Amerikane, i cili mësohet se u vetëdorëzua pas ngjarjes. Në kërkim është shpallur edhe Kelmend Xhaferri, që dyshohet se ka qëlluar me armë duke lënë të plagosur Pavlo Vuksanin dhe Emiljano Prengën.

Mësohet se Paplekaj menjëherë pas përplasjes është larguar në këmbë dhe më pas ka marrë me forcë një makinë dhe ka udhëtuar drejt Tiranës, ku dhe i është vetëdorëzuar një prej drejtuesve të forcave RENEA, ndërsa ka dorëzuar edhe armën me të cilën qëlloi, një pistoletë tip Glock të cilën e kishte me leje.

Autori: Arbër Paplekaj

Papleka tha në polici se kishte qëlluar për vetëmbrojtje pasi ka parë rrezikshmëri të lartë. “Ne shkuam për t’i ndaluar se morëm një denoncim që një makinë shpërndante para. Por ata qëlluan me armë zjarri ndaj nesh,” ka thënë ai.

Xhuvani me profesion mjek është një emër i njohur për opinionin publik. Ai më parë ka qenë kryetar i LSI-së në Elbasan si dhe kandidat për deputet i kësaj force në zgjedhjet e 2013. Ai ka mbajtur gjithashtu edhe poste të larta drejtuese në administratën lokale në Elbasan, ish-drejtor i spitalit psikiatrik dhe ish-drejtor rajonal i Fondit të Barnave të Rimbursueshme.

Për herë të fundit ai u pa publikisht në përplasjen që ndodhi gjatë Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit.

Tv Klan